Ahmeti: Jam optimist se do te pranohen tre kerkesat e BDI-se
Albeu.com
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti shprehet optimist për realizimin e tre kërkesave që ditë më pari i adresoi partnerit të koalicionit qeveritar: rastet e Hagës, Sopoti dhe Ligji për UÇK-në. Sipas kryetarit të BDI-së nevojitet vetëm dëshirë dhe vullnet politik që të arrihet realizimi i këtyre kërkesave.
Zgjidhjen e rasteve të Hagës, BDI-ja sipas kryetarit të saj Ahmeti e sheh përmes shqyrtimit autentik të ligjit për amnisti. Ahmeti madje nuk përjashton edhe ndihmën e ndërkombëtarëve.
“Unë mendoj që zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund këtyre dilemave është interpretimi autentik i Ligjit për amnisti. Unë mendoj që kjo është punë profesionale, duhet juristët të bëjnë analizën dhe të orientohen për interpretim përfundimtar në organin i cili ka miratuar ligjin. Ligji është miratuar në Kuvendin e Maqedonisë dhe organi më legjitim dhe më legal sigurisht që është Parlamenti, i cili duhet të bëje edhe interpretimin autentik të ligjeve që i miratuar ë vetë”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Për sopotasit Ahmeti shprehet i sigurt se janë të pafajshëm dhe se bëhet fjalë për proces të inskenuar për qëllime politike.
“Nuk mund të jenë fajtorë dhe aktorë për një vepër tepër delikate dhe të rrezikshme mbi 15 apo 20 persona sa akuzohen. Kanë siguruar dëshmitë e veta edhe personalitet të rëndësishme që në atë kohë kanë qenë në Maqedoni, siç ishte ambasadori i NATO-s zoti Bigman. Njerëzit nuk janë fajtorë, nuk ka argumente dhe është një proces tërësisht i inskenuar për qëllime politike të asaj kohe”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ndërsa për kërkesën e tretë, statusin e UÇK-së, Ahmeti, thekson se kjo çështje është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe se për zgjidhjen e saj janë angazhuar grupe pune.
“Ne kemi aktivizuar grupe pune, të kërkojnë mënyra se si mund të arrihet deri tek një zgjidhje e pranueshme për ne por edhe për VMRO-DPMNE dhe pa dashur që t’i jepet dimension politik apo njëri apo tjetri të përfitoj nga këto raste tepër të ndejshme që janë dhe nuk duam që zgjidhja e atyre problemeve të ndikoj tek përplasjet mes dy etnive më të mëdha në Maqedoni”, vlerësoi Ahmeti. (alsat-m)
Shtuar më 24/05/2010, ora 18:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori