Ahmeti i hakmerret Gruevskit me shqipen
Albeu.com
Anashkalimi i përdorimit të gjuhës shqipe nëpër manifestime të ndryshme, sidomos në ato kur mbahen në rajonet e banuara me shqiptarë nga ana e kryeministrit Nikola Gruevski dhe ministrat tjerë maqedonas, ka ndikuar në ...... acarimin e raporteve mes partnerëve të koalicionit, e cila ka reflektuar që lideri i partisë shqiptare në pushtet, Ali Ahmeti t’i urdhërojë ministrat e tij që detyrimisht në të gjitha manifestimet nëpër të gjitha komunat ku janë të banuara me shqiptarë, ministrat dhe funksionarë tjerë, të flasin në gjuhën shqipe. Sipas burimeve në BDI, ky vendim i Ahmetit vjen pas incidentit të fundit muajin e kaluar në Tetovë gjatë hapjes së sallës së re sportive, në të cilën ministrave shqiptarë nuk iu lejua që të drejtohen në gjuhën e tyre amtare. Zëvendëskryeministri në fajalimin e tij në Qeverinë e Maqedonisë të mërkurën u drejtua në të dyja gjuhët, shqipe dhe maqedonase. Ademi, në një deklaratën ka thënë se përdorimi i gjuhës shqipe është kategori kushtetuese, dhe se në të gjitha komunat që janë të banuara me shqiptarë, ministrat dhe funksionarët e BDI-së do të flasin në gjuhën e tyre amtare, por duke mos anashkaluar as gjuhën maqedonishte.

“Nuk është e vërtetë, ne kur të pranishmit janë shqiptarë, u drejtohemi vetëm në shqip, ndërsa kur ka edhe nga pala tjetër, ashtu siç bëra edhe unë sot, u drejtova në dy gjuhë, në shqip dhe maqedonisht. Të paktën, kështu e kemi të obliguar edhe me kushtetutë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Ademi. Ndërkohë partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja të mërkurën mbrëma i kanë tejkaluar mosmarëveshjet rreth përkthimeve në manifestimet e ndryshme. Sipas kësaj marëveshjeje, ministrat shqiptarë do ta respektojnë Ligjin për Qeverinë, ndërsa në të gjitha manifestimet që do të mbahen në komunat shqiptare, do të flasin edhe në gjuhën shqipe. Zëdhënësi Shefik Duraku, i cili ka konfirmuar se në ky problem është tejkaluar, ndërsa situata konsiderohet si lëshim i organizatorëve të cilët nuk kanë siguruar kushte për përkthim.

“Këto mosmarëveshje mund të konsiderohen si incidente apo lëshim nga ana e organizatorëve të këtyre manifestimeve. Nuk besoj se kjo mund të reflektohet në raportet mes partnerëve të koalicionit, megjithatë kjo Qeveri është politike dhe sinjaleve të tilla nuk mund t’u shmangemi”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku. Mosmarëveshjet rreth përdorimit të gjuhës shqipe filluan më 19 qershor gjatë lëshimit në përdorim të sallës sportive në Shkollën fillore “Nikolla Shtejn”, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryeministri Nikolla Gruevski, si dhe disa ministra të BDI-së. Atëherë kryeministri Gruevski kishte urdhëruar që në ceremoni të flitet vetëm në gjuhën maqedonishte, me ç’rast në BDI kjo është pranuar si ofendim, e veçanërisht për faktin se lëshimi i sallës në përdorim ndodh në një komunë të banuar me shqiptarë. Që t’i kundërpërgjigjet këtij provokimi, partia e Ahmetit, një skenar të ngjashëm përgatiti më 2 korrik, gjatë lëshimit në përdorim të sallës në fshatin Sllupçan, në të cilën e gjithë ceremonia dhe të gjithsa fjalimet e funksionarëve shqiptarë janë mbajtur vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa përkthim nuk ishte siguruar as edhe për kryeministrin, i cili mori pjesë në inaugurimin e kësaj salle. E gjithë kjo situatë reflektoi më pas edhe tek ministrat dhe funksionarët tjerë të BDI-së, të cilët refuzuan të japin deklarata në gjuhën maqedonishte, madje zëvendëskryeministri Ademi në një ceremoni të ndarjes së vendimeve për administratorët e rinj u sugjeroi gazetarëve maqedonas që ta mësojnë gjuhën shqipe, apo të punësojnë gazetarë shqiptarë në redaksitë e tyre. Ndryshe, qëndrim identik deri më tani ka mbajtur edhe lideri i BDI-së, i cili që nga paraqitja e tij në skenën politike deklaratat e tij kanë qenë vetëm në gjuhën shqipe, përveç në disa raste ku lideri i BDI-së, me dy tre fjalë i ka përshëndetur të pranishmit apo gazetarët të cilët e kanë ndjekur atë ngjarje. (koha)
Shtuar më 14/07/2010, ora 19:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori