Ahmeti dhe Xhaferi larg njëri-tjetrit
Pëlqej
Albeu.com
Blloku politik shqiptar në Maqedoni nuk punon në qetësimin e atmosferës parazgjedhore. BDI parimisht përkrah një marrëveshje ndërmjet liderëve për zgjedhje të lira, PDSH ka kërkuar dënimin e autorëve të shkeljeve të zgjedhjeve lokale.Përderisa në bllokun politik maqedonas, lideri i partisë në pushtet Vllado Buçkovski dhe ai i opozitës Nikolla Gruevski, kanë realizuar një sërë takimesh për problematika të ndryshme lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, një gjë e tillë në bllokun shqiptar vazhdon të mungojë.
Ali Ahmeti, lider i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Arbën Xhaferi nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), tani më një kohë të gjatë nuk kanë realizuar ndonjë takim të përbashkët zyrtar.
Në BDI arsyetohen me faktin se takimet në bllokun maqedonas nuk janë vetëm në nivel të dy liderëve të blloqeve pushtet dhe opozitë. Sipas tyre, takimet në fjalë kanë qenë të një spektri më të gjerë, ku kanë marrë pjesë liderët e të gjitha partive politike, me qëllim që të arrihet në konsensusin e nevojshëm për miratimin e legjislacionit të ri zgjedhor.
Nga BDI bëjnë të ditur se këto takime kanë pasur për qëllim shumicën e votave të nevojshme për Kodin zgjedhor, gjë që nuk ka mundur të arrihet pa votat e opozitës. Zëdhënësja e kësaj partie, Ermira Mehmeti, thotë se BDI parimisht ka përkrahur vlerësimet e shumë ekspertëve për nevojën e një deklaratë për zgjedhje të lira dhe demokratike, të përkrahur nga të gjithë kryetarët e partive politike më të mëdha.
“Siç e dini, ne kemi nënshkruar një deklaratë te këtillë edhe vitin e kaluar, për zgjedhjet lokale. Parimisht, ne jemi të gatshëm të shprehim vullnetin dhe gatishmerinë tonë për një proces fer dhe demokratik. Njëkohësisht, kërkojmë një përcaktim të këtillë dhe korrektësi jo vetëm verbale edhe nga ana e opozitës”, ka thënë për “Lajm” zëdhënësja e BDI-së Mehmeti, pa precizuar nëse do të realizohet ndonjë takim mes Ahmetit dhe Xhaferit.
Nga ana tjetër edhe në PDSH nuk kanë dashur t’i komentojnë takimet e liderëve në bllokun maqedonas. Nga kjo parti thonë se një marrëveshjeje në bllokun shqiptar do të duhej t’i paraprinte një paramarrëveshje.
“Para marrëveshjes duhet të ketë paramarrëveshje me të cilën kërkojmë dënim të anëtarëve të BDI-së që i kanë vjedhur votat në zgjedhjet lokale. Grupet kriminale duhet të nxirren para gjyqit dhe konform deklarimeve të institucioneve ndërkombëtare se zgjedhjet ishin të manipuluara, BDI të kërkojë falje publike prej shqiptarëve dhe PDSH-së”, thotë për “Lajm” zëdhënësi i PDSH-së, Imer Aliu.
Njëherësh, bën të ditur ai, “kërkojmë nga Parlamenti të miratohet projekt-ligji i PDSH-së për prishjen e zgjedhjeve dhe organizimin e zgjedhjeve lokale bashkë me zgjedhjet parlamentare”.
Po sipas tij, PDSH-ja nuk ka nevojë të nënshkruajë kurrfarë deklarate sepse në tre zgjedhjet e fundit ka dëshmuar praktikisht se ka qenë korrekte.
nga QASHIF BAKIU, Lajm
Shtuar më 05/04/2006, ora 15:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori