Ahmeti dhe Xhaferi i ftohin gjakrat e nxehta
Pëlqej
Albeu.com
Qetësimi i atmosferës parazgjedhore në taborin shqiptar do të fillojë me një duel televiziv midis liderit të BDI-së dhe PDSH-së, kurse mundet të përfundojë me nënshkrim të një deklarate për zgjedhje korrekte.Përfaqësuesit diplomatikë në Maqedoni kanë filluar takime intensive me përfaqësuesit e dy partive më të mëdha shqiptare në Maqedoni: Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH). Burime diplomatike thonë se qëllimi takimeve është në funksion të qetësimit të atmosferës parazgjedhore. Udhëheqësit e BDI-së dhe PDSH-së, të mërkurën janë takuar me përfaqësuesin e Komisionit Evropian të BE-së, në Maqedoni Erwan Fuoere. Të enjten kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është takuar me ambasadorin austriak, Philip Hojos, kurse kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferi është takuar me ambasadorin e OSBE-së në Shkup, Carlos Pais. Në të gjitha këto takime, temë kryesore e bisedimeve, kanë qenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Edhe pse zyrtarisht nuk pranojnë as në BDI e as në PDSH, megjithatë “Lajm” nga burime të besueshme merr vesh se diplomatët perëndimorë në të gjitha takimet u kanë sugjeruar krerëve të partive shqiptare që të përmbahen nga deklaratat që “nxehin gjakrat” te elektorati. Ata kanë shprehur vërejtje se në BDI dhe PDSH, shumë herët kanë filluar fushatën e ashpër parazgjedhore, me të cilën munden të krijojnë hapësirë për parregullsi zgjedhore. Njëkohësisht, diplomatët evropianë u kanë rikujtuar udhëheqësive të partive shqiptare se nëse vazhdojnë me fushatën e këtillë edhe në zgjedhjet e ardhshme, parregullsitë më të mëdha zgjedhore do të ndodhin në pjesët e banuara kryesisht me shqiptarë.
Qetësimi i “gjakrave” në kampin politik shqiptar do të fillojë me një duel televiziv ndërmjet Ahmetit dhe Xhaferit, i cili do të realizohet të mërkurën e ardhshme në programin shqip të televizionit shtetëror. Ndërkaq ky qetësim mund të përfundojë me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët ndërmjet të gjitha partive shqiptare për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Kundërshtime ndaj një deklarate të këtillë ekzistojnë në PDSH, e cila vlerëson se BDI-ja në zgjedhjet vendore nuk ka respektuar deklaratën për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Ballafaqimi televiziv, në njëfarë mënyre, do të jetë edhe kompensim i takimit ndërmjet kreut të BDI-së dhe PDSH-së, të cilin e propozoi Ali Ahmeti, mirëpo u refuzua nga udhëheqësia e PDSH-së.
nga Isen Saliu, Lajm
Shtuar më 24/02/2006, ora 16:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori