“Ballkani i Hapur e kreu misionin”, Vuçiç vë në dyshim deklaratën e Ramës: Nuk besoj se e ka thënë, uroj ta takoj së shpejti

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk po beson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të shtunën se Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet dhe se tani duhet vazhduar me Procesin e Berlinit.

Vuçiç gjithashtu u shpreh kundër asaj që tha se Rama se “duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit” dhe tha se shpreson që së shpejti do ta takojë atë.

“Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani”, tha Vuçiç në TV Prva.

Ai tha se do të konsiderojë gjithmonë se çdo ide e krijuar në rajon është “më e mirë se ato që vijnë nga jashtë”.

“Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër”, tha Vuçiç.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha dje nga Ulqini se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, dhe tha se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit.

“Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mission për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, ka thënë Rama.

Vuçiç do të ketë mundësi ta takojë Ramën, pasi kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi vizita në të gjitha shtetet e rajonit për t’i takuar kryeministrat dhe presidentët pët t’i informuar për përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë vit.

“Procesi i Berlinit është e ardhmja jonë”, ka thënë Rama./express/


Shtuar 2.07.2023 12:45