Agron Duka nuk përjashton mundësinë e kandidimit për Durrësin
Agron Duka
Zgjedhjet e ardhshme vendore, të planifikuara për t’u mbajtur me 21 Qershor të këtij viti mund të sjellin ndryshime të tjera në përbërjen e parlamentit, e ndoshta edhe të ekzekutivit.

Reduktimi i njësive vendore, i pasuar nga rritja e kompetencave për kryebashkiakët e rinj, mund të bëjë që disa deputetë të lënë mandatin dhe të përfshihen në garë.

I ftuar në studion e televizionit SCAN, deputeti i Partisë Republikane Agron Duka thotë se kjo tendencë është vërejtur edhe në zgjedhjet e mëparshme.

"Opozita e ka thënë prerazi, kryetari Lulzim Basha, se me këtë ndarje territoriale nuk ka zgjedhje. Kështu që në këtë kontekst, opozita do të jetë gjithmonë në kërkim të një riformatimi të hartës zgjedhore sepse nuk është vetëm problem i një ndarje territoriale harte por është edhe ndarje kompetencash. Një ndarje e tillë, si të thuash mekanike, mund të mos sjellë pozitivitet në të ardhmen e qytetarit por përkundrazi negativitet. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, ky nuk është një fenomen i ri.

Shpeshherë deputetë të Parlamentit kanë garuar për pushtetin vendor, siç është rasti i Bashës, për shembull, apo edhe raste të tjera. A do të ketë në të ardhmen, sepse ju gjykoni se gara do të jetë akoma më e fortë? Nuk besoj se kjo varet thjeshtë nga madhësia e njësisë vendore po në fund të fundit varet nga gjykimi i kaheve politike për të gjetur kandidaturën fituese. Shpeshherë kjo kandidaturë mund të gjendet në radhët e parlamentit. Kështu që, me sa kemi dëgjuar të paktën, e majta të gjitha ata që përfliten për të garuar në Tiranë, për shembull, janë anëtarë të parlamentit shqiptar"
thotë Duka.

I pyetur nëse ai vetë do të linte mandatin e deputetit për të garuar në zgjedhjet e ardhshme, Duka thotë se ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga ana e opozitës së sotme. Megjithatë, ai nuk e përjashton si mundësi që nëse i kërkohet të garojë, të lerë mandatin e deputetit dhe të përfshihet në garë për Bashkinë e Durrësit.

“Jo vetëm për faktin se gara është shumë më e fortë por edhe nëse do të ishte, për shembull, me ndarjen e vjetër, nëse do të kisha propozim nga e djathta unë kësaj pyetjeje kështu i jam përgjigjur: Nëse do të kisha një propozim serioz do konsultohesha me miqtë e mi, me njerëzit me të cilët kam bërë gjithmonë fushata elektorale si dhe me anëtarësinë e Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane si aleat i PD-së. Po natyrisht, kjo në radhë të parë është në konsultë me forumet drejtuese të Partisë Republikane. Kështu që përderisa një propozim të tillë serioz unë nuk e kam patur, nuk kam sesi t'i përgjigjem. Mund të them vetëm kaq, që shpesh nëpër zonën time, në zonën e Durrësit, në zonën ku banoj, përflitet emri im edhe nga militantë të djathtë por edhe majtas, edhe në biseda private me anëtarë të Partisë Demokratike. Por, siç thashë, ndonjë gjë serioze nuk ka pasur”, thotë Duka.

Data 21 qershor e këtij viti është dekretuar nga kreu i shtetit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Tashmë ka nisur puna për përgatitjen e zgjedhjeve për 61 njësi vendore, edhe pse mes mazhorancës dhe opozitës ka ende diskutime dhe debate për hartën e re administrative-territoriale.
Shtuar më 15/01/2015, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori