Agrarët marrin Mjedisin, Lesi mbetet pa ministri
Albeu.com
Nënkryetarja e PD-së Topalli, takon Xhuvelin dhe i prpozon postin e Ministrit të Mjedisit. Berisha: Dakort me PAA për një ministri. Xhuveli: Nuk kemi konkluduar ende, do mbledhim forumet.Marrëveshja mes Partisë Demokratike dhe Partisë Agrare është në përfundim. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi dje se në negociatat me Kryetarin e PAA-së, Xhuvel,i është rënë dakort për një post ministri dhe se “po diskutohen probleme të tjera lidhur me këtë”. Pikërisht për postin që do të drejtojë Xhuveli në qeverinë e re, është zhvilluar dje një takim mes Kryetarit të PAA-së dhe Nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, në zyrën e kësaj të fundit. Burime nga PAA, deklaruan dje për “Shekullin” se Topalli, zyrtarisht i ka propozuar Xhuvelit postin e Ministrisë së Mjedisit. Nga ana e tij, Xhuveli e ka lënë të hapur qëndrimin e tij, duke sqaruar për “Shekullin” se nga fillimi i javës, do të konkludohet çdo gjë. Xhuveli nuk iu përgjigj gjithashtu pyetjes nëse do të pranonte ose jo Ministrinë e Mjedisit. “Nuk ka konkluduar ende. Por edhe nëse do të konkludohet, ne do të mbledhim forumet”,- u shpreh Xhuveli. Ndërkohë, burime nga PD, shtuan se takimi është zhvilluar pa probleme dhe se Xhuveli pritet të japë një përgjigje pozitive. Megjithatë, problemi më i madh, duket se qëndron brenda vetë PAA-së dhe pikërisht nga dy deputetë të saj, që përfliten se nuk mbështesim bashkëqeverisjen me PD-në. Por Xhuveli siguroi se nuk ka asgje të vërtetë dhe se gjithçka do të bëhet e ditur ditën e hënë, duke dalë në publik, me të katër deputetët e PAA-së. Dy ditë më parë, lideri i opozitës, Sali Berisha, konkludoi marrëveshjen me PBDNJ-në. Kjo e fundit pritet që të drejtojë Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale.


Negociatat
Negociatat mes PD-së dhe PAA-së, kanë filluar prej kohësh. PAA i është përgjigjur pozitivisht ftesës së demokratëve për të negociuar, lidhur me përfaqësimin e PAA-së në qeverisjen e ardhshme. Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i adresoi një ftesë të hapur partive ish-aleate të PS-së, duke përfituar në këtë rast edhe nga pakënaqësitë që ato kishin ndaj PS-së. Takimi i parë mes dy partive është zhvilluar disa ditë më parë, mes Kryetarit të Partisë Agrare dhe Nënkryetares demokrate Jozefina Topalli. Ky takim i parapriu një tjetër takimi të rëndësishëm, mes liderit të opozitës, Sali Berisha dhe kryetarit të PAA-së, Lufter Xhuveli. Pas takimit, të dy palët deklaruan se ishte folur për programet e secilës prej partive, pa konfirmuar asgjë konkrete lidhur me postin, që do të merrte PAA. Megjithatë deklarata e Xhuvelit se prioritete të programit të tij, ishin pikërisht bujqësia dhe mjedisi la të kuptojë se PAA, do të drejtonte pikërisht një prej dy ministrive, ose Bujqësinë ose Mjedisin.
N. Perndoj, Shekulli
Shtuar më 30/07/2005, ora 18:56
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori