“Agjenti” i izraelit: Kontrollova shtëpinë e Tom Doshit , më pagoi…
Shtetasi izraelit Yoram Frig, i ndaluar në Rinas me një pajisje të dyshuar si përgjuese, ka dëshmuar se ka ardhur në Shqipëri me kërkesë të deputetit dhe biznesmenit Tom Doshi.

Pas ndalimit në Rinas dhe shoërimit në Policinë e Tiranës, shtetasi i huaj 51- vjeçar që pretendon se është detektiv privat, ka dhënë deklarime para prokurorit në lidhje me aktivitetin e tij në Shqipëri. Pak orë pas ndalimit në Rinas mësohet se “detektivi” ka pranuar të japë shpjegime të plota para prokurorit të çështjes.

Burime të “Panorama” nga grupi i hetimit kanë thënë se shtetasi Yoram Frig ka pretenduar se pak javë më parë është kontaktuar nga zyra e biznesmenit dhe deputetit shqiptar Tom Doshi. Ky i fundit, sipas shtetasit izraelit, kërkonte të verifikonte dyshimet që kishte nëse në makinat, zyrat dhe banesat në përdorim të tij ishin vendosur pajisje përgjimi. Për këtë arsye, shtetasi Izraelit ka dëshmuar se ka arritur në Shqipëri në datën 22 mars 2017 dhe ka hyrë në Rinas pa pasur asnjë problem apo pengesë nga autoritetet, edhe pse kishte me vete pajisjen skanuese të “çimkave”.

Pasi ka hyrë në Shqipëri, shtetasi i huaj ka dëshmuar se ka punuar me kontrollin e automjeteve në përdorim të Tom Doshit, duke skanuar edhe zyrat e tij të biznesit, banesën dhe ambiente të tjera, ku i është kërkuar të verifikonte nëse kishte përgjues. Më pas, në datën 23 mars 2017, ai është nisur për të dalë nga Shqipëria por është ndaluar në Rinas, pasi efektivat e policisë kanë pasur dyshime për pajisjen që ai kishte me vete. Yoram Frig ka dëshmuar para prokurorit se për punën që kishte bërë në Tiranë kishte marrë një pagesë prej dy mijë eurosh, ndërsa pasi ka përfunduar shërbimet që i janë kërkuar u nis të largohej nga Shqipëria. Frig ka përsëritur se pajisja që i është bllokuar në Rinas është vetëm skanuese dhe kontrolluese, por nuk ka as aftësi, as programe e as pajisje përgjimi./Albeu.com/
Shtuar më 26/03/2017, ora 08:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori