Agim Beluli pret lirim me kusht
Albeu.com
Gjykata Themelore e Kumanovës dhe presidenti i Republikës Gjorgji Ivanovi, akoma nuk i janë përgjigjur kërkesës së familjarëve dhe avokatit të Agim Belulit për lirimin e tij me kusht.
Meqë Agim Beluli e ka kryer dy të tretën e dënimit, në bazë të procedurës, ai ka të drejtë të kërkojë lirim me kusht. Avokati i Belulit, Besnik Sulejmani sqaron se në bazë të procedurës, që është pjesë penale e rregullores, personat që e kryejnë një të tretën e dënimit kanë të drejtë të kërkojnë lirim me kusht. “Agimi e ka kryer jo një të tretën, por dy të tretën e dënimit dhe e shoqja e tij na ka angazhuar që të bëjmë kërkesë pranë Gjykatës së Kumanovës dhe një kërkesë pranë presidentit për lirimin me kusht ose falje të tij”, thotë Sulejmani. Kërkesa e parë, pranë presidentit është lëshuar shumë kohë më parë dhe familjarët prisnin që para vitit të ri të merrnin ndonjë përgjigje pozitive, mirëpo deri më tani nda atje nuk ka mbërritur asnjë lloj përgjigjeje. “Për kërkesën që kemi bërë tek Gjykata e Kumanovës po presim. Mendojmë se ka mendim pozitiv, pasi mendim pozitiv ka edhe nga burgu për sjelljen e tij”, thotë Sulejmani, duke shtuar se Agimi i plotëson të gjitha kushtet për tu kthyer në shtëpi.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Kumanovës, Sefer Mehmeti tha për “Lajm” se brenda kësaj jave do të mblidhet komisioni dhe do të vendosë për kërkesë që ka bërë avokati i Belulit. “E kam parasysh kërkesën, por nuk mund t’ju them asgjë më tepër, pasi komisioni është ai që vendos. Komisioni do të mblidhet këtë javë dhe do të vendosë”, tha Mehmeti.

Sipas autorizimit presidenti ka të drejtë që në prag të Vitit të ri të falë të burgosur, të cilët i janë përmbajtur rregullave të burgut. Presidenti Ivanov këtë vit nuk fali asnjërin, ndërsa ish presidenti Branko Cërvenkovski, fali vetëm të dënuar maqedonas.

Agim Beluli dhe tre shqiptarë të tjerë nga Kumanova janë dënuar me nga shtatë vjet burg, pasi akuzohen nga gjykata se janë autorë të vënies së mjetit eksploziv në hekurudhën ndërkombëtare Shkup-Beograd dhe në qendër të qytetit të Kumanovës në vitin 2003. Ndërkaq, dhjetëra shqiptarë të pafajshëm vuajnë dënime të shumta nëpër burgjet e Maqedonisë nën akuzën terrorizëm. (lajm)
Shtuar më 12/01/2010, ora 21:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori