Adriatik Llalla, si pasqyra për të parë hallet opozitare!
Nga Alfred Peza
Emri i ish Kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, pas një periudhe relativisht të gjatë heshtje, është rikthyer përsëri në fokusin e mediave shqiptare.

Me një jetë të ndarë mes Shqipërisë dhe udhëtimeve jashtë, mes banesës së tij dhe bareve e restoranteve në Tiranë, prej një viti e gjysëm ai figuron zyrtarisht me statusin e një të papuni. Për shkak se është nën hetim zyrtar nga Prokuroria, të gjitha asetet financiare dhe pasurore në emër të tij janë të “ngrira”.

Ish Ambasadori Amerikan në Tiranë Donald Lu, ka deklaruar në shtator 2018 se është kërkuar që Llallës ti kufizohen lëvizjet, në mënyrë që të mos i largohet drejtësisë shqiptare. Ai ka pajtuar avokat dhe po mbrohet për 4 akuza të rënda të ngritura ndaj tij më 15 mars 2018. Ato nisin nga “refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë, interesave private të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë”, “mosdeklarim të shumave monetare në kufi” e deri tek ato për “pastrim të parave të pista” dhe “shpërdorim detyre”.

Të gjitha këto kufizime e pengesa në dukje të panumërta, nuk e kanë penguar aspak ish Kryeprokurorin e Republikës për të pajtuar kompaninë amerikane të lobimit “Sher Tremonte LPP”, e cila është regjistruar në Dhomën e Përfaqësueseve të Kongresit Amerikan, me synimin: Për “shfuqizimin e vendimit të Departamentit të Shtetit të datës 14 shkurt 2018, për ta listuar Adriatik Llallën dhe familjen e tij të afërt, si të papërshtatshme për të hyrë në SHBA”.

Adriatik Llalla ishte i pari dhe një ndër drejtuesit më të lartë të sistemit të vjetër, që doli hapur kundër reformës së re në drejtësinë shqiptare, duke patur një përplasje të fortë deri edhe publike për këtë, me Nr. 1 të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Ambasadorin Donald Lu.

Nuk vonoi shumë dhe Adriatik Llalla e shënoi emrin si i pari zyrtar i lartë në Shqipëri, të cilit iu refuzua hyrja në SHBA, me firmën e sekretarit të atëhershëm amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Motivacioni: Për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve të larta shtetërore. Përveç ish Kryeprokurorit, sekretari Tillerson miratoi ndalimin e hyrjes në SHBA edhe për bashkëshorten e tij Ardjana Llalla, për vajzën Eni Llalla dhe një fëmijë tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Pasi ishte shkarkuar më 18 dhjetor 2017 nga Parlamenti, Adriatik Llalla dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, duke iu shmangur në këtë mënyrë verifikimit të pastërtisë së figurës së tij qoftë në aspektin pasuror, por edhe në atë profesional e të pastërtisë së figurës. Megjithëse i shpëtoi në këtë mënyrë kalimit nëpërmjet filtrave të “vettingut”, ai u vetpërjashtua për 15 vitet e ardhshme nga funksionet publike e shtetërore. Por, ai nuk i shpëtoi dot, hetimit penal.

E atëherë kur u duk se ish Kryeprokurori do të ishte “peshku i madh” që do të binte i pari në rrjetën e drejtësise dhe pritej nga momenti në moment arrestimi, ai nis manovrat për të gjetur hapësira juridike dhe të çara të tjera në sistem, për të dalë nga “çarku” që i kishte ngritur vetes pa e kuptuar, pikërisht atëherë kur kishte menduar se ishte më i fortë se kurrë. Ishte momenti kur miqtë e tij në PD dhe LSI, e lëshuan të parët, duke e lënë të shihte me nge filmin “I vetmuar, pa përkrahje”!

Gushtin e vitit të kaluar Adriatik Llalla bëri një kërkesë për rekurs në lidhje me sekustron preventive të vendosur ndaj pronave të tij, të cilat nëpërmjet një skeme klasike pastrimi parashë, nga një vlerë modeste, brenda një kohe të shkurtër si me magji u shumëfishuan duke arritur në shifra marramendase. Por, as kjo manovër juridike e bazuar në nenin 6 të Konventës Europiane, nuk i piu ujë.

Me një sy nga zhvillimet politike që në disa raste janë rrekur të pengojnë me çdo çmim ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë, e me një sy nga media për tiu larguar sa më shumë e sa më shpejt vëmendjes së shtuar publike, ish Kryeprokurori me sa duket i konsultuar edhe nga “ustallarët” e tij, ka kuptuar se rrënjët e së keqes i burojnë përtej oqeanit. Atje ku i është ndaluar përjetësisht që të shkeli tokën e premtuar, e nga ku ai vetë e nisi luftën i pari publikisht duke u sjellë si të ishte kryeprokurori i antishtetit shqiptar.

Fakti që Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë në historinë e Shqipërisë që futet në listen e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, i pari ish Prokuror i Përgjithshëm që vihet zyrtarisht nën hetim nga organi që drejtoi për pastrim parashë të pista dhe tre vepra të tjera të rënda penale, e kanë bërë atë kandidatin Nr. 1 për të qenë edhe çështja Nr. 1 e organeve të reja të drejtësisë së re. Adriatik Llalla duket të jetë simboli i të gjitha kontradiktave të sotme edhe politike në opozitë, të prodhuara nga hallet e djeshme, në përpjekje për të penguar të nesërmen e re që po vjen.

Adriatik Llallën nuk e shpëton dot nga kjo histori as fakti se ai është i papuni i parë në historinë e njerëzimit që ka me sa duket ende aq para të lira, sa për të paguar një kompani amerikane lobimi në Kongresin e SHBA. As fakti se kjo kompani ka mbrojtur përpara tij interesa shtetasish rus. E as fakti, se ai po tenton që të pastrojë emrin e tij e të familjes, nga të qenurit në krye të listës së zezë mu në zemër të Uashingtonit atje ku edhe u ideua e u projektua reforma për drejtësinë e re të Shqipërisë së ardhshme, së cilës ai iu bë armiku Nr. 1 në të shkuarën.

Sepse ai dhe “ustallarët” që e këshillojnë atë, ende duket se nuk po kuptojnë, se ka nisur lufta e shtetit të së drejtës, me antishtetin. Lufta e së resë, me të vjetrën. Lufta e së nesërmes, me të djeshmen. Ndaj nuk është çudi që në vend të shpëtimit, me këtë hap të ri që ka hedhur, Adriatik Llalla në vend të heqjes së, vetullave të jetë duke nxjerrë sytë. Për tu bërë pas kësaj, “kurbani” i parë në themelet e drejtësisë së re. E ashtu si në legjendat e lashta ballkanike, simboli i tij, të shërbejë për të mbajtur sa më fort e gjatë në këmbë, themelet e sistemit të ri të drejtësisë shqiptare.
Shtuar më 08/03/2019, ora 22:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori