Dëmtimi i Suarez, Barcelona “piketon” 2 sulmues

Dëmtimi i sulmuesit të Barcelonës, Luis Suarez, i ka detyruar drejtuesit katalanas të futen menjëherë në merkato. Ylli i kombëtares uruguaiane do të operohet këtë javë në gju dhe si pasojë do të qëndrojë jashtë fushave për plot katër muaj.

Sipas ‘Mundo Deportivo’, deri më tani dy janë alternativat për Barcelonën. Bëhet fjalë për sulmuesin e Milanit, Rafael Leao, si dhe për sulmuesin e Flamengos i cili është në pronësi të Interit, Gabigol.

Braziliani, i cili shkëlqeu me Flamengon në Brazil, arriti të shënojë 34 gola në 43 ndeshje si dhe dhuroi 11 asiste për shokët e skuadrës. 23-vjeçari shikohet si alternativa e parë nga drejtuesit e Barçës dhe më pas vjen portugezi i Milanit.

21-vjeçari ka rënë në sy me paraqitjet e tij në Seria A, duke treguar talentin e tij dhe blaugranat po monitorojnë me kujdes situatën e tij.Alternativa të tjera për Barcelonën janë dhe Carlos Vela, i cili luan për La Galaxy në MLS, Donyel Malen, holandezi që luan për PSV Eindhoven. Emri i fundit në listën katalanase vjen nga Ligue 1, konkretisht për sulmuesin e Lille, Victor Osimhen.


Shtuar 13.01.2020 14:01