Ademi e pranon: Bashkia përgjegjësi për Jetimoren
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, si edhe përfaqësues nga shoqëria civile u thirrën dje në një seancë dëgjimore në nënkomisionin për çështjet e të miturve për të parashtruar qëndrimin e tyre mbi ngjarjen.

Për kryetaren e Bashkisë Shkodër, problem mbetet sistemi. Sipas saj, qendrat rezidenciale në Europë janë shkrirë që në vitin 2001, ndërsa në vendin tonë vijojnë ende të funksionojnë. Ademi nuk bëri lojën e pingpongut për delegimin e fajit duke pranuar se bashkia do të mbajë pjesën e vet të përgjegjësisë në këtë histori.

"Sigurisht, Bashkia e Shkodrës do të marrë dhe kërkon të mbajë përgjegjësi duke kërkuar të ndryshojë shërbimin menjëherë". Ndërsa shprehu vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund ngjarjes, Ademi tha se nëse ky sistem që është aktualisht vijon të ekzistojë, ngjarje të tilla të rënda do të vijojnë të përsëriten.

"Ngjarja e Shkodrës dhe ngjarjet e tjera që kanë ndodhur potencialisht mund të ndodhin prapë. Sigurisht janë ngjarje më shumë se të rënda. Nuk janë raste sporadike, por janë pjesë e një sistemi që nuk funksionon”. Në dakordësi edhe me ministrin Klosi, Ademi u shpreh pro dërgimit të fëmijëve pranë familjeve kujdestare. Sakaq, lidhur me Jetimoren e përfshirë nga skandali, ajo tha se ka kërkuar që të mbyllet bashkë me të tjerat, pasi këto modele nuk janë të duhurat.

Në këtë takim nuk është shmangur as ngjyresave partiake, pasi deputetja e PD-së, Albana Vokshi, akuzoi drejtpërsëdrejti ministrin Klosi për ngjarjet e fundit në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër. Ajo tha se fajtorët duhet të vendosen përpara përgjegjësisë.

Nga ana e tij, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, tha se është gati paketa e masave për të gjitha qendrat rezidenciale. Një Task- Forcë e ngritur me përfaqësues nga disa institucione do të nisë kryerjen e kontrolleve në 64 qendra, rezultatet e të cilave do të bëhen publike në muajin korrik të këtij viti.

Klosi tha se shumë shpejt do të kalojë për miratim ligji i ri për mbrojtjen e fëmijëve, në të cilin parashikohet që të ashpërsohet dënimi për punonjësit që abuzojnë me detyrën, në mënyrë që të bëhen shembull për të tjerët. Ministri ripërsëriti edhe një herë nismën për shkrirjen e qendrave rezidenciale në qendra ditore dhe strehimin e fëmijëve në qendrat kujdestare.

Seanca e djeshme për shkak të axhendës së përcaktuar ishte parashikuar të zgjaste disa orë. Por, pavarësisht ndjeshmërisë së çështjes, deputetët nuk patën durimin për të qëndruar deri në fund. Pas largimit të ministrit Klosi, nisën të largohen një nga një edhe deputetët. /albeu.com/
Shtuar më 25/05/2016, ora 08:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori