Abuzoi me 14-vjeçaren britanike në Greqi, lihet në burg shqiptari
Gjykata greke në Korfuz ka lënë në burg një 32-vjeçar shqiptar, që akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare nga Britania e Madhe.

Kjo e fundit ndodhej për pushime me familjen në ishullin e Korfuzit dhe po qëndronte në të njëjtin hotel ku shqiptari punon.

Ka qenë vetë vajza që bëri denoncim në polici më 14 Gusht, duke deklaruar se ishte joshur dhe më pas abuzuar seksualisht nga shqiptari në një nga dhomat e hotelit ku 32-vjeçari punon.

Nga ana tjetër, i akuzuari pranoi se ka kryer marrëdhënie me 14-vjeçaren, por ka mohuar që ta ketë përdhunuar, duke thënë se gjithçka ndodhi me dëshirën e vajzës.

Megjithatë, gjykata vendosi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për shqiptarin, i cili do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Akuza ndaj tij është e rëndë, pasi akuzohet për tre vepra penale; për përdhunim, joshje dhe qëndrim të paligjshëm në vend.

Kjo e fundit, pasi ai nuk disponon dokumente për leje qëndrimi në Greqi. /tvklan/
Shtuar më 19/08/2019, ora 21:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori