AAK, opozite ndaj LDK-se
Albeu.com
Ramush Haradinaj konfirmoi refuzimin e Presidentit Fatmir Sejdiu se s’do të ketë as prishje të koalicionit qeverisës, e as zgjedhje të parakohshme. Prej dje, rruga e AAK’së ndahet nga ajo e LDK’së.
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj është zhgënjyer nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe LDK’ja, të cilët qe një kohë të gjatë është përpjekur t’i bëjë partnerë me çdo kusht.

Një ditë pasi lideri i LDK’së, Fatmir Sejdiu, i bëri të qartë se nuk ka ndërmend të prishë koalicion qeveritar me PDK’në e Hashim Thaçit dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Haradinaj ka bërë të ditur publikisht pozicionin e tij të ri në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke pranuar se projekti i tij për grupimin e partive që ai i konsideron të djathta, ka dështuar.

“Nga dita e djeshme, rrugët tona, partneriteti ynë në shumë aspekte të tjera ndahen. Me këtë përfundon ajo shpresa jonë me ndalë gjendjen ekzistuese, me shpallë zgjedhje dhe me fillua një gjendje të re me ndihmën e njërit aleat, në këtë rast LDK’së, ka dështuar”, ka thënë Haradinaj, në një konferencë shtypi, të mërkurën, në selinë e AAK’së në Prishtinë.

Kreu i Aleancës i kishte dërguar Sejdiut një marrëveshje politike, ku vetëm duhej firmosur, përmes së cilës ai ka propozuar që LDK’ja dhe AAK’ja të garojnë së bashku në zgjedhjet e parakohshme, që sipas Haradinajt, do të duhej mbajtur më 20 qershor të këtij viti.

Nëse do ta pranohej kjo ofertë, atëherë Fatmir Sejdiu do të ishte bartës i listës së përbashkët, i pasuar nga Ramush Haradinaj, Eqrem Kryeziu, Blerim Shala...

E tërë kjo tani mbetet vetëm një histori e pakëndshme për lidershipin e AAK’së.

Presidenti Sejdiu konsideron se nuk ka arsye për zgjedhje të reja nacionale dhe se duhet pritur deri në afatin kohor kushtetues – vjeshtën e vitit 2011.
“Pasi që Presidenti në emër të LDK’së, vlerëson vazhdimin e gjendjes së tanishme, që për ne është e papranueshme, vetvetiu rrugët tona ndahen”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka dhënë edhe arsyet pse po vendos të mos ketë afërsi me LDK’në, me të cilën partia e tij kishte qeverisur tri vjet.

“Vazhdimi i kësaj gjendjeje nuk është në dobi të vendit, proceseve politike dhe vlerësimit tonë që Kosova ka nevojë të ndalë gjendjen e tashme dhe trendët humbës”, ka thënë ai.

“Vazhdimi i mandatit të institucioneve të sotme, të koalicionit qeverisës, është edhe bindja e tyre, e Presidentit dhe e kolegëve. Bazuar në këtë, realisht po ndahen rrugët, po ndahet rruga e Aleancës”, ka konstatuar ish’Kryeministri Haradinaj.

Përpos përgjigjes negative, Haradinaj ka marrë nga Sejdiu edhe sinjale pozitive.

“Presidenti ka shprehur gatishmërinë për të ruajtur një bashkëpunim strategjik edhe për tema të përgjithshme, edhe për tema bilaterale”.

Tash Lideri i AAK’së ka vendosur të jetë zë opozitar edhe për pjesën e Qeverisë që udhëhiqet nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Ne do jemi të obliguar në ushtrimin e funksioneve tona të ballafaqohemi me qeverisjen, me koalicionin qeverisës, me partitë në koalicionin qeverisës nga pozicioni ynë me u ballafaqua me këto dy parti (PDK-LDK) me dëmet që po i shkaktojnë vendit, duke e ruajtur gjendjen e tashme”, ka kritikuar Haradinaj.

Ai ka sqaruar edhe një herë Letrën që ia ka dërguar Presidentit, në të cilën i pati kërkuar ndërprerjen e koalicionit me PDK’në, shpalljen e zgjedhjeve dhe i treti fillimi i gjendjes së re. “Meqenëse LDK’ja, do të thotë Presidenti Sejdiu nuk e ka gatishmërinë me ndalë këtë gjendje dhe vlerëson se është vazhdimi i mandateve vizon i tij, rrugët tona ndahen për shkak se ne nuk mendojmë se i ndihmojmë vendit duke e ndihmuar gjendjen ekzistuese”, konstaton Haradinaj.

Udhëheqësi i partisë së tretë në Kosovë, Ramush Haradinaj vendosi në fillim të vitit t’i shkruajë një letër LDK’së dhe të kërkojë nga ajo prishjen e koalicionit me PDK’në dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në qershor të këtij viti. Kjo letër e AAK’së është parë si hap i ngutshëm dhe jo i menduar mirë politikisht. (Faton Ismajli, express)
Shtuar më 25/02/2010, ora 16:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori