AAK mbeshtet EULEX-in dhe ICO-ne
Albeu.com
Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës (AAK) ka vlerësuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënimet kryesore për sundimin e ligjit në Kosovë dhe për krijimin e institucioneve të qëndrueshme qeverisëse, raporton Express.
“AAK-ja vlerëson sërish, siç ka bërë shumë herë deri më tash në të gjitha instancat e saj vendimmarrëse, që Sundimi i Ligjit dhe i Rendit Kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, është kusht për stabilizimin e shtetit të Kosovës, për krijimin e rrethanave për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për vendosjen e Kosovës në binarët e procesit të inkuadrimit në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian”, thuhet në një deklaratë të lëshuar sot për media, të nënshkruar nga kryetari Ramush Haradinaj.

AAK-ja çmon lart mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), të EULEX-it, të KFOR-it, të Komisionit Evropian dhe të shteteve mike perëndimore, sikur thuhet, për sendërtimin e këtyre qëllimeve.

AAK është e vetëdijshme që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënimet kryesore për Sundimin e Ligjit në Kosovë, për krijimin e institucioneve të qëndrueshme qeverisëse, për ndaljen e teposhtëzes së përgjithshme politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës dhe degradimin e shtetit të Kosovës..

“Nuk mund të ketë kompromise, lëshim pe dhe zhagitje në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar prej instancave përgjegjëse të drejtësisë të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare”, vazhdon deklarata.

AAK-ja beson që autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet e qeverisjes në Kosovë, dhe në të gjitha etapat e zhvillimit të institucioneve të lira dhe demokratike në Kosovë, që prej zgjedhjeve të para të mbajtura në tetorin e vitit 2000.
Shtuar më 07/05/2010, ora 17:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori