A po shkon Rama drejt qeverisë teknike? Ermelinda Meksi, gati të behet kryeministre
Rama po shkon drejt qeverisë teknike dhe është duke negociuar me Ermelinda Meksin që të bëhet kryeministrja e këtij kabineti.

Opinion.al e Blendi Fevziut shkruan duke u bazuar në burime ende jozyrtare se shefi i maxhorancës është duke e menduar seriozisht plotësimin e kërkesës së opozitës për një qeveri teknike duke vendosur Meksin në krye të saj, një emër e cila është e pranueshme edhe nga opozita.

Shkrimi i plotë

Ndërsa protesta e opozitës vijon me të njëjtin intesitet dhe kur Kryeministri duket se nuk do të lëshojë pé lidhur me mundësinë e një qeverie teknike, shansi për të shkuar në zgjedhje me një kabinet teknik nuk i ka mundësitë Zero, siç është menduar deri më sot.

Burime konfidenciale (jozyrtare) pranë stafit të Edi Ramës konfirmojnë për Opinion.al se Ermelinda Meksi, ish-eksponente e PS, që për momentin mban një post të rëndësishëm në zyrat e Sekretariatit Ekonomik pranë OSBE në Vienë ka patur bisedime intensive me kryeministrin Rama.

Meksi njihet si tekniciene e zonja dhe e papërfshirë në afera politike në Shqipëri. Ndoshta arsyeja që ajo është në kontakte të shpeshta me Edi Ramen ka të bëjë me mundësinë e drejtimit prej saj të një qeverie teknike.

Shanset janë që opozita që jetë dakort me një qeveri të drejtuar prej znj. Meksi. Por nuk përjashtohet mundësia që emri i Meksit të jetë dhe një kandidaturë e mundshme e PS për Presidente.

Lëvizjet e ditëve të fundit, largimi i 4 ministrave dhe bisedimet intensive të Edi Ramës me bashkëpunëtore dhe ish-bashkëpunëtorë shtojnë dyshimet që Kryeministri po përgatitet për lëvizje të reja ‘surprizë’ që doemos kanë lidhje dhe me qëndrimin përfundimtar që pritet të mbajë për zhvillimet e fundit aleati i tij kryesor LSI.

Zyrtarizimi i marrëveshjes parazgjedhore mes PS dhe LSI dhe formimi i një qeverie teknike më në krye zonjën Meksi do të qetësonte situatën parazgjedhore dhe do të plotësonte kushtin kryesor të opozitës.
Shtuar më 15/03/2017, ora 14:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori