Gjermania është e paralizuar nga pacifizmi

Nga Nigel Jones “Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ngurrimi i theksuar i Gjermanisë për të dërguar në Ukrainë tanket e saj më të mirë “Leopard 2” për ta ndihmuar Kievin të zmbrapsë pushtimin brutal rus, ka shumë pak të bëjë me shmangiet dhe justifikimet e dobëta që paraqet publikisht Berlini.

Në fakt gjithçka që ka të bëjë me hijet e gjata që bien mbi historinë e këtij vendi. 30 janari i këtij viti do të shënojë 90-vjetorin e emërimit të Adolf Hitlerit si kancelar i Gjermanisë. Edhe pse një kohë relativisht e shkurtër, 12 vitet e sundimit nazist shkaktuan plagë kaq të thella në vendin dhe botën më gjerë, saqë ato vazhdojnë të diktojnë ende kursin e politikës gjermane.

Një tjetër përvjetor i afërt – Dita Ndërkombëtare e Holokaustit këtë të premte – përkujton krimin më të rëndë të regjimit të Hitlerit, që u lehtësua nga pushtimi i vendeve evropiane nga Gjermania. Ai është saktësisht i njëjti akt i paligjshëm që po tentohet tani nga ushtritë e Vladimir Putinit në Ukrainë.

Prandaj mendoj se është i jashtëzakonshëm fakti që qeveria aktuale gjermane nuk po sheh paralelen e qartë midis agresionit të Vladimir Putinit dhe përpjekjes së Adolf Hitlerit për të nënshtruar kontinentin, i cili shkaktoi Luftën e Dytë Botërore – dhe të veprojë në përputhje me rrethanat në bashkëpunim me aleatët e saj për të dërguar sa më parë në Ukrainë tanket “Leopard”.

Dhe në vend të kësaj, koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz po e zvarrit këtë çështje, dhe po ofron një sërë arsyesh që janë haptazi të dobëta se përse edhe tanket që Gjermania i ka shitur tashmë shteteve si Polonia me licencën e eksportit, nuk mund t’i ofrohen Ukrainës për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e një kombi sovran evropian.

Duke e harruar politikën nënshtruese ndaj Rusisë të nxitur nga jo pak iluzione naive, dhe varësinë e madhe energjitike nga nafta dhe gazi i Putinit të ndjekur nga paraardhësja e tij Angela Merkel, thuhet se Scholz ka frikë se tanket gjermane do ta provokojnë Putinin që të shtojë sulmet e tij si kundërpërgjigje, ndoshta duke nisur edhe një sulm bërthamor.

E vërteta e trishtë është se krimet e Rajhut të Tretë ishin aq të tmerrshme, saqë ata prej kohësh e kanë “vaksinuar” Gjermaninë kundër çdo lloj forme veprimi ushtarak. Edhe mundësia për të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse të OKB-së në vende problematike si Libani dhe Qiproja e ndarë, shkaktuan një debat të ashpër në një Gjermani ende të tronditur nga faji dhe historia e saj e errët.

Për pasojë, vendi që dikur e tmerroi Evropën me nacionalizmin dhe aftësitë e tij ushtarake dhe që nisi dy luftëra botërore, është bërë gjiganti pacifist i paralizuar midis kombeve perëndimore.

Fuqia e saj u neglizhua aq shumë sa nën ish-Ministren e Mbrojtjes Ursula von der Leyen – sot presidentja e pazgjedhur e Komisionit Evropian – saqë avionët e saj ushtarakë nuk mund të ngriheshin dot në ajër, nëndetëset e saj nuk mund të lundronin ndërsa trupat e saj shkonin në një stërvitje me pushkë druri dhe jo armë të vërteta.

Që nga viti 1945 në Gjermani janë rritur gjenerata të tëra njerëzish, të cilët e përçmojnë dhe nuk i zënë besë ushtrisë dhe konceptit të forcës ushtarake. Ata kaluan vite duke punuar nën iluzionin komod se lufta ishte një mënyrë e vjetëruar e projektimit të fuqisë, e pamundur për t’u imagjinuar në Evropën moderne, dhe se vendi mund të mos luante një rol të plotë në ruajtjen e paqes së bashku me aleatët e saj të NATO-s.

Vladimir Putin e shkatërroi atë iluzion një vit më parë me sulmin e tij të egër ndaj Ukrainës, dhe nga ai moment Gjermania ka qenë konfuze dhe e ngathët përballë këtij realiteti të pakëndshëm. Mënyra më e mirë që Berlini të zhdukë hijet e së kaluarës së tij të errët është të qëndrojë në mbështetje të një vendi që lufton dëshpërimisht për të shpëtuar veten nga pushtimi dhe që t’i japë atij pa vonesa të mëtejshme mjetet ushtarake për ta bërë këtë. /albeu.com

Shënim:Nigel Jones, është një historian dhe gazetar britanik.


Shtuar 23.01.2023 16:17