Detaje nga vrasja në Kaçanik, viktima kishte ardhur në Kosovë për pushime të premten

Hasan Berisha, 30-vjeç, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra nga të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur dje rreth orës 14:00 në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, saktësisht tek vendi i quajtur “Fusha Pajtimit. I plagosur ka mbetur edhe vëllai i tij K.Berisha, 32-vjeç, i cili është dërguar menjehërë në spital për trajtim mjekësor.

Policia e Kosovës është në kërkim të të dyshuarve, të kësaj ngjarje.

Dëshmitarë të rastit prapa kamerave kanë deklaruar për RTV Dukagjinin, se në momentin e atentatit viktima ka qenë në veturën e tij derisa është qëlluar me automatikë nga tre persona.

Sipas tyre pak momente më vonë është qëlluar edhe në drejtim të vëllait të viktimës, i cili ka mbetur i plagosur.

Gazetari po ashtu raporton se në bazë të informatave nga vendi i ngjarjes, viktima kishte ardhur në Kosovë për pushime ditën e premte.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

“Policia Rajonale e Ferizajt me datë 10.05.2022 në ora 14:00 ka pranuar një informacion së në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik tek vendi i quajtur “Fusha Pajtimit, përball” Varrezave të Dëshmorëve’’ në Kaçanik, nga arma e zjarrit, dy persona kanë pësuar plagë trupore dhe për pasojë në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë personi me inicialet H.B ( M/K) i moshës 30 vjeçar, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe personi i dytë me inicialet K.B ( M/K) i moshës 32 vjeçar i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare ( QKUK) në Prishtinë .

Në lidhje me këtë, policia rajonale e Ferizajt, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Policët hetues po grumbullojnë informacione në terren dhe janë në kërkim të të dyshuarve, të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë./express