A la Ibrahim Rugova ndonjë amanet?!
Albeu.com
A la Ibrahim Rugova ndonjë amanet për të gjallë të tij apo ishte kjo vetëm një lojë e politikanëve servilë? Eshtë Sejdiu "amanet" i Rugovës apo jo? Po Kolë Berisha?!Vendi i amaneteve – vendi i rrenave

Fatmir Sejdiu është “president i amanetit”. Eqrem Kryeziu pranon se ka pasur dy burime, të cilat i kanë thënë se presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova e ka propozuar Sejdiun për trashëgimtar të tij. Zëvendëskryeministri i shkarkuar, Adem Salihaj, thotë se burimet e Kryeziut janë Philip Goldberg dhe Ramush Haradinaj. Por, sipas tij, referenca në amanetin e Rugovës është një gënjeshtër dhe mashtrim i madh

Një muaj pas zgjedhjes së Fatmir Sejdiut për president të vendit, anëtarë të strukturave të larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) shpalosin detaje nga mbledhja e Kryesisë e mbajtur më 7 shkurt, atë ditë kur u zyrtarizua kandidatura e Sejdiut për president.
Nënkryetari Eqrem Kryeziu kishte hyrë në zyrat e ngushta të selisë së LDK-së dhe u ishte drejtuar anëtarëve të Kryesisë që të votojnë Sejdiun për president, ngase ky ishte amaneti i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës. Por, më vonë kontestohet nga Adem Salihaj, ish- zv/kryeministër.
Këto janë vetëm disa nga akuzat që ka lëshuar të mërkurën zëvendëskryeministri në shkarkim Adem Salihaj, në adresë, siç e ka quajtur ai, të “Kryesi e Kryesisë”, duke aluduar në katërshen: Eqrem Kryeziu – Naim Jerliu – Kolë Berisha – Alush Gashi.
Disa nga akuzat e bëra janë konfirmuar edhe nga anëtarë tjerë të kësaj partie.
Të enjten, nënkryetari Kryeziu ka thënë se është e vërtetë se amaneti i Rugovës është përmendur ditën kur u zyrtarizua kandidatura e Sejdiut.
“Është e vërtetë që e kam përmendur se Sejdiu ka qenë preferencë e presidentit të ndjerë, sepse i kishim dy burime të besueshme. Por nuk do të thotë se kjo ka ndikuar që ai të zgjidhet president. Absolutisht”, tha Kryeziu për “Lajm”.
Kjo, sipas tij, ka qenë vetëm një motiv shtesë për t’u përcaktuar për një kandidat.
“Dhe tani çka ndodhi, këto burime kredibile, që unë nuk po i përmend, thonë se meqenëse ishte presidenti i sëmurë, njerëzit kanë shkuar dhe i kanë thënë: ‘President, Grupi Negociator nuk po mund të mblidhet, kë do ta propozonit ju që t’ju zëvendësojë?’. Natyrisht se ata nuk i kanë thënë se zgjidhe dikë, se tash e pat puna juaj. Sipas këtyre dy burimeve, presidenti i ndjerë e ka propozuar kryetarin e tanishëm”, tha Kryeziu, pa dashur që t’i tregojë burimet kredibile.
Por, burimet e tij janë zbuluar nga Salihaj.
“Katërshi i ‘Kryesisë së Kryesisë’ tha se këtë amanet Rugova ia paskësh lënë Philip Goldbergut dhe Ramush Haradinajt. Sipas këtij katërshi, të dy këta e kishin pohuar këtë”.
Ish-presidenti Rugova ka pasur ndikim të madh te të gjithë anëtarët e LDK-së dhe vetëm përmendja e emrit të tij ka pasur dhe ka peshë në parti.
Sipas Salihajt, kur “katërshja” e kumtoi amanetin e Rugovës, të gjithë votuan “pro” kandidaturës së Sejdiut për president.
“Më vonë doli se kjo kishte qenë një gënjeshtër dhe mashtrim, por tashmë loja ishte kryer”.
Ndryshe nga Kryeziu, anëtarët e tjerë të Kryesisë së LDK-së kanë mohuar përmendjen e amanetit të Rugovës në këtë mbledhje.
Lutfi Haziri, anëtar i Kryesisë dhe i propozuar për zëvendëskryeministër, thotë se nuk është e vërtetë ajo çka ka thënë Salihaj.
“Por është e vërtet se Sejdiu ka qenë emri konsesual që ne e kemi pa si zgjidhje dhe që është dëshmuar si i tillë”, tha për “Lajm” Haziri.
Ndërkaq anëtari tjetër, Astrit Haraqija, i cili në disa nga mbledhjet e fundit të Kryesisë kishte qenë kritik ndaj veprimeve të disa anëtarëve të partisë dhe shkarkimeve që kanë ndodhur, të enjten nuk ka preferuar t’i komentojë deklaratat për amanetin e presidentit të ndjerë.
Që nga vdekja e Rugovës, në opinion kanë qarkulluar informacione se ai ka lënë një testament. Madje disa nga veprimet e fundit thuhet se janë marrë pikërisht duke iu referuar këtij testamenti.
Por, bashkëpunëtori 15-vjeçar i Rugovës, Sali Cacaj, mohon ekzistimin e testamentit.
“Nuk ka të bëjë me amanete, nëse dikush thirret në diçka të tillë ose e ka ngatërruar ose ka ndonjë dezinformatë. Deri më tash nuk dimë se presidenti ka lënë ndonjë testament”.
Cacaj gjithashtu është edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe ka qenë i pranishëm ditën kur u vendos për zyrtarizimin e kandidaturës së Sejdiut për president, por ai preferon që të mos flasë për këtë çështje.
“Zgjedhja e presidentit është bërë me konsensus të plotë, s’ka pasur nevojë për votë, por askush nuk ka qenë kundër zgjedhjes së Sejdiut”. I lutur të komentojë deklaratat e Salihajt, Cacaj tha se ka disa ditë që kanë kaluar nga ajo mbledhje e Kryesisë dhe nuk dëshiron të kthehet tek ato gjëra.
“Ai që e ka thënë e di më mirë, por unë nuk kisha dashur të inkuadrohem në këto gjëra, ngase ajo çështje është tejkaluar tash me ngjarje edhe më të rëndësishme dhe nuk ia vlen të merremi me gjërat që kanë kaluar”.
nga LEONARD KERQUKI, Lajm
Shtuar më 11/03/2006, ora 09:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori