Bastet online drejt hapjes, qeveria jep “dritën jeshile”

Qeveria i jep dritën jeshile nisjes së lojërave të fatit. Rikthimi i basteve online nuk do të luhet më me para në dorë. Të gjithë subjektet që do të nisin të operojnë në këtë treg duhet të kenë si kapital fillestar të paktën 40 milionë lekë për të nisur biznesin e tyre, nga 1.2 miliardë lekë që ishte më parë.  Bastet sportive online parashikohet të luhen nëpërmjet paisjeve elektronike si smartphone, tabletave, Ipad, apo në faqet zyrtare të internetit të këtyre bizneseve.

Ndryshe nga më parë, projektligji i miratuar për Lojërat e Fatit detyron subjketet të ruajnë të dhënat e klientëve të tyre për çfarëdolloj shume të luajtur brenda një periudhe tre vjeçare, ndërsa më herët ligji synonte regjistrimin e individëve që merrnin pjesë në baste me vlera 100 mijë lekë ose më tepër.

Ndryshimet fiskale dhe mospagimi i 15% të tatimit mbi fitimin do të sjellë krijimin e një fondi të posaçëm dhe detyrime monetare fikse për kompanitë që licensohen për aktivitetin e lojërave të fatit, sipas draftit të ri të hedhur për konsultim publik.

Organizatorët e kategorive “Kazino”, “Kazino në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 0.4 për qind të xhiros vjetore.

Mekanizma të ngjashëm ligjorë në tregun e lojërave të fatit ndiqen edhe nga vende të Bashkimit Evropian.


Shtuar 19.07.2023 21:36