A është ky zëvendësi i Veliajt në Ministrinë e Punës?
Kryeministri Edi Rama luajti deri në fund me dy emra si kandidatë potencialë për Bashkinë e Tiranës duke testuar ndoshta edhe pëlqyeshmërinë e tyre në publik nëpërmjet hedhjes herë pas here në qarkullim të emrave të Erion Veliajt dhe Blendi Klosit.

Tashmë Veliaj është zyrtarisht kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, kurse e ardhmja e Klosit përtej të qënit deputet mbetet për t’u vendosur në ditët në vijim.

Megjithatë, në këtë lojë dyshe, Rama ka dhënë shenjat se Blendin do ta ketë pjesë të kabinetit të tij qeveritar. Ai e mori atë në një udhëtim për në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë javës së shkuar pa asnjë shkak, pasi Klosi nuk është ministër dhe as anëtar i ndonjë komisioni parlamentar aktiviteti , i të cilit lidhet me marrëveshjet e nënshkruara atje.

Klosi ishte edhe shoqërues i Ramës në vizitën e tij në Itali disa ditë më parë.

Në kushtet e fushatës së ethshme që sapo ka filluar, me shumë gjasë Rama nuk do të vonohet në emërimin e ministrit të ri të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Duke parë levizjet e Ramës pritet që ai të jetë Blendi Klosi, një figurë në ngjitje në Partinë Socialiste edhe pse nuk ka identikitin e një deputeti tipik sipas stilit të Ramës.

Me emërimin e Klosit, Rama mund të shuajë disi edhe mërmëritjet e grupit të vjetër të deputetëve socialistë, të cilët kanë qenë më shumë për kandidimin e tij në Tiranë dhe jo të Veliajt. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2015, ora 22:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori