A do ti përjashtojnë PS e PD kriminelët e tyre?!
Nga Dionis Xhafa - Muaji i parë i vitit 2016 pritet të nisë me beteja fjalësh mes pozitës dhe opozitës lidhur me atë se cila nga forcat strehon brenda vetes së vet kriminelë dhe do të kërkohet nga kundërshtari me siguri, që të përjashtohet “krimineli” nga partia dhe rrjedhimisht edhe nga posti publik.

Përpara se të ngrihet pyetja se a do ti përjashtojë PS, PD, LSI apo qoftë edhe parti më të vogla personat me rekorde kriminale nga rradhët e veta, duhet theksuar se dekriminalizimi pa reformë në drejtësi nuk mund të quhet i zbatuar plotësisht, pasi një pjesë të mirë të krimit në këtë vend e ka zhvilluar, për fat të keq edhe drejtësia.

Përpara se të ngjiten në tribunën e debateve të fuqishme, ka një përplasje lidhur me atë se a do ti largojnë subjektet politike personat me të shkuar kriminale.

Dyshimi vjen për shkak se dihen disa emra që kanë patur të shkuar të errët dhe për të cilët pak shpresa ka se do të përjashtohen si kryebashkiakë apo si deputetë.

Dhe, nëse ligji nuk zbatohet në majat e piramidës, shumë me dyshim është fakti nëse ky ligj i dekriminalizimit do të zbatohej edhe poshtë, tek ata që mbajnë poste modeste publike.

Në një debat në “Opinion”, deputeti i PD-së Gent Strazimiri do ti mbronte disa individë nga PD që janë të inkriminuar edhe në korrupsion e të dënuar nga ana e gjykatës.

Ai do të thoshte se Fatmir Mediu, Arben Ristani apo Xhelal Mziu, që të gjithë sikur ishin viktima të sistemit apo se ndaj tyre është bërë padrejtësi, duke dalë edhe mbi drejtësinë.

Nga fjala e Strazimirit, lë të kuptohet se PD sa duket më tepër reformën e ka për të përjashtuar të inkriminuarit në PS e në LSI sesa nga rradhët e veta.

Ndërkaq, edhe kreu i qeverisë ka mbrojtur disa kandidatë, që tanimë janë kryebashkiakë, edhe pse ndaj tyre kishte shumë diskutime.

Nën petkun e moralitetit dhe të pastërtisë, si PD, si PS dhe LSI apo partitë e tjera që kanë deputetë në Kuvend votuan unanimisht pro ligjit të dekriminalizimit.

Teorikisht të gjithë paskan qenë dakord për të pastruar nga politika dhe nga funksionet publike persona që kanë të shkuar kriminale, sidomos të rëndë.

Problemi i madh qëndron në atë se a janë të afta partitë tona ta zbatojnë ligjin e dekriminalizimit dhe se personat politikë që preken nga nenet përkatëse të ligjit të përjashtohen?

A janë të gatshme partitë tona të dënojnë të keqen brenda vetes, e cila megjithatë vështirë në mos e pamundur ta pastrojë realisht partinë, pasi paradoksalisht mund të ketë deputetë me dëshmi penale të pastër, por me krime pushteti jashtëzakonisht shumë.

Problemi tjetër qëndron në faktin se si opozita, si pozita kanë lajmëruar se janë plot të inkriminuar si nga e djathta si nga e majta.

E, se situatë e tillë sjell vetëm përplasje, debate të ashpra me siguri dhe përballje verbale nga të dyja krahët të pafunda.

Me debate të tilla, me akuza se “partia jote nuk po heq kriminelët” me siguri që do të kalojë një kohë tepër e gjatë, aq sa të vihet në pikëpyetje edhe reforma në drejtësi apo të kërkohet vetëm të shtyhet.

E vërteta e madhe që bërtet është se ligji i dekriminalizimit duhet të aplikohet kur të jetë bërë edhe reforma në drejtësi.

Pasi të jetë reformuar drejtësia, të jetë dekriminalizuar parlamenti dhe institucionet, përfaqësimi për shqiptarët është më dinjitoz.

Mbetet të pritet si do të shkojë ligji i dekriminalizimit, reforma në drejtësi dhe zhvillime të tilla që kanë në fokus ndryshimin e kursit politik në vend. /Albeu.com/



Shtuar më 04/01/2016, ora 13:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori