A do të emërohet kryetar Kuvendi? Reagon për herë të parë Ruçi
Pas lakimit të emrit të tij për kryetar Kuvendi ka reaguar Gramoz Ruçi. Në një interviste për GSH ai e cilësoi një përgjegjësi të madhe fitoren e 74 mandatëve.

Zoti Ruçi, a e prisnit të merrnit 74 mandate në këto zgjedhje?

Po, sigurisht që ne e prisnim, pasi për këtë kemi zhvilluar fushatë. Ndaj, ky rezultat ishte një përgjigje që ne morëm nga votuesit shqiptarë. U realizua pikërisht ajo që ne kërkonim dhe vlerësoj mbështetjen që na u dha.

Sigurisht kjo është një përgjegjësi e madhe, ndaj ne nuk e shohim as me eufori, por e shohim me realizëm, duke menduar që përgjegjësia është shumë e madhe dhe duhet ta justifikojmë këtë mandat që na u dha nga mijëra shqiptarë.

Ju morët një mandat për të qeverisur vetëm. A do të merrni edhe “bashkëpunëtorë” të tjerë në qeveri, ashtu siç i quajti kryeministri?

Është shpejt për t’i parë këto gjëra. Kemi kërkuar vetëm ritëm më të shpejtë për të ecur përpara dhe s’ka asnjë arsye që ne të mos e ushtrojmë verdiktin që elektorati na dha.

Ne do të shpalosim të gjithë përgjegjësinë e nevojshme për të realizuar ato premtime, objektiva dhe pritshmëritë e larta që ka elektorati ndaj nesh.

Kur them elektorati, këtu kam parasysh të gjithë shqiptarët, socialistë e demokratë, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, në lidhje me zbatimin e reformave, të cilat janë të rëndësishme për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Emri juaj po përflitet sot si pretendent për postin e kryetarit të Kuvendit. Do ta pranonit një funksion të tillë?

Nuk merrem me komentet e medias. Në momentin e duhur, ka kohë edhe dy muaj që maxhoranca të shpalosë të drejtën e saj për të gjitha institucionet legjislative apo ekzekutive. Kështu që deri atëherë po ia lë në dorë medias të merret.

Përfundimisht, zoti Ruçi e keni përjashtuar një koalicion me LSI-në?

S’ka koalicion me LSI-në. Kemi zhvilluar një fushatë për të vetëqeverisur Shqipërinë dhe nuk kemi pse ta diskutojmë këtë. Diskutimet do të bëhen në kohën e duhur. /albeu.com/


Shtuar më 29/06/2017, ora 09:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori