A do të dënohen policët për vrasjen e dyfishtë? Reagon SHÇBA
Struktura e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka përfundua hetimet në lidhje me vrasjen e Xhulieta Çunit në zonën e Don Boskos.

SHÇBA bën me dije se efektivët e policisë nuk kanë asnjë përgjegjësi penale për krimin, ndërsa në Polici është marrë një kallëzim më 7 maj të 2018 nga ana e viktimës 19 vjeçare dhe pas kësaj dite nuk është bërë asnjë denoncim.

Nga hetimet e bëra 24 orët e fundit, vrasja e 19 vjeçares Xhulieta Çunit mëngjesin e 8 qershorit nga Xhaferr Mata, 31 vjeç nuk mund të ishte parandaluar nga asnjëri prej policëve që ka qenë në shërbim ditën kur është bërë kallëzimi nga e reja në drejtim të autorit.

Njoftimi i plotë:

SHÇBA: Asnjë përgjegjësi penale e punonjësve të Policisë për ngjarjen në “Don Bosko”

Struktura e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Tiranë nisi verifikimet për veprimet apo mosveprimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në datën 8 Qershor 2018, në rrugën “Don Bosko”, ku shtetasi XH.M. vrau me armë zjarri shtetasen 19-vjeçare Xh.Ç., e më pas veten. SHÇBA kreu verifikimet e plota për të kqyrur veprimet policore, duke nisur me intervistimet e punonjësve, kryqrje libra shërbimi, dokumentacioni, kamera etj.

Nga gjithë verifikimet e kryera ka rezultuar se Policia ka marrë kallëzim në datën 7 maj 2018 nga shtetasja XH.Ç. për përndjekje.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pas vlerësimit të kallëzimit nga Prokuroria është bërë rregjistrimi i procedimit penal, për të vijuar më pas me hetimin.

Pas kallëzimit, Prokuroria nuk i ka deleguar veprime të tjera shtesë Policisë, duke vijuar vetë me veprimet hetimore.

Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë ankesë tjetër apo t’i jetë bërë prezent ndonjë shqetësim nga shtetasja Xh.Ç., pas kallëzimit të datës 07.05.2018.

Pra, nga verifikimet e kryera nga SHÇBA dhe analizimi i dokumentacionit të administruar, nuk rezulton se punonjësit e Policisë që kanë trajtuar ngjarjen të kenë konsumuar elementë të ndonjë vepre penale, duke shpërdoruar detyrën.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit mbetet e gatshme për të pritur çdo ankesë apo informacion për shkelje të konstatuara nga punonjës të Policisë, duke rikujtuar numrin ku mund të denoncohet falas 0800 90 90. /albeu.com/

Shtuar më 13/06/2018, ora 13:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori