Tetë efektivë policie nën hetim për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Basha: Rama përdori policinë për të mbrojtur blerjen e votave

Teksa vrasja e Pjerin Xhuvanit  4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit po nis të zbardhet dhe pas arrestimit të kupolës drejtuese të policisë, ka ardhur edhe reagimi i ish-kreut të PD, Lulzim Basha.

Basha ka publikuar një video në rrjetin social “Facebook”, ku tregon se si drejtuesit e policisë pas ngjarjes së rëndë dhanë dëshmi të rreme, duke shkruar se tanimë çdo shqiptar e ka të qartë që Edi Rama ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:

Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën.

Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima. /albeu.com