A do të ketë tërmete të tjera në Shqipëri? Ja çfarë thotë sizmiologu Rexhep Koçi
Lëkundjet e fundit sizmike që prekën vendin tonë, kanë shkaktuar jo pak panik tek qytetarët.

Përgjegjësi i departamentit të sizmiologjisë në Institutin e gjeoshkencave Prof. Asoc. Rexhep Koçi, sqaron për gazetën “TemA” situatën e tërmeteve në Shqipëri.

Koçi shprehet se Shqipëria ka reliev të ngjashëm me atë të Italisë dhe në njëfarë mënyre është i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Më tej ai rendit edhe zonat e rrezikuara në vend ku propabiliteti që të ketë lëkundje të mëdha sizmike është më i madh.

“Referuar statistikave mbi aktivitetin sizmik janë përcaktuar disa zona si ajo perëndimore Joniko-Adriatik, zona lindore Peshkopi-Pogradec-Korçë dhe ajo tërthore Vlore-Elbasan-Dibër. Kjo nuk do të thotë se në zona të tjera mungon aktiviteti sizmik, por këto të përmendura më sipër janë më aktive dhe shquhen për një numër më të madh ngjarjesh sizmike në raport me të tjerat”, është shprehur Koçi.

Po ashtu Koçi adreson edhe disa këshilla konkrete për të gjithë qytetarët në rast se do të gjenden në situata të vështira për shkak të tërmeteve. “Të mos shpërqendrohen, të mos humbin qetësinë. Të pozicionohen poshtë trarëve antisizmik, tavolinave të forta dhe objekte të tjera që mund të shërbejnë si mburojë e përkohshme nga rënia e objekteve, suvasë, tullave, etj. Te qëndrojnë larg objekteve të varura apo atyre që mund të shkëputen lehtësisht si rezultat i lëkundjeve të forta. Të mbyllin gazin apo energjinë, nëse është e mundur. Për godinat e larta të evitohet ashensori, pasi ai mund të bllokohet nga lëkundjet.

Të largohen sa më tepër nga ndërtesat dhe te qëndrojnë në fushë të hapur. Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe ata në nevojë, pasi janë vetë banoret të parët në vend-ngjarje, përpara se sa forcat shpëtuese të mbërrijnë për t’ju ardhur në ndihmë”, ka deklaruar Koçi./Albeu.com/
Shtuar më 28/01/2017, ora 18:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori