90 infektime vetëm sot, Pipero: Në Shqipëri po dominojnë moshat e reja
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, ka folur lidhur me rritjen e numrit të rasteve të reja me koronavirus në ditët e fundit.

Ai thekson se komplikacionet më të mëdha vijojnë ti paraqesin të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, por shtoi se ka edhe të rinj që kanë nevojë për trajtim spitalor.

"Moshat e reja janë më të ekspozuar sepse janë në marrëdhënie pune. Moshat e vjetra kanë më shumë kujdes. Graviteti dhe komplikacionet më të mëdha janë te të sëmurët kronikë.

Shtimi i rasteve ka sjellë më shumë raste në spital dhe humbje jetësh. Në kompleks jeta është shqetësuese por nuk është ende problematike", tha ai.

Duke u bazuar në shifrat e fundit, Pipero mendon se mbajtja e maskës duhet të kthehet në detyrim ligjor dhe në mjedise të hapura.

"Askush nuk e di nëse është pozitiv. Sot bota trembet nga transmetuesit e heshtur. Kam qenë dhe jam kundër maskës në rrugë.

Por që të na bëhet mënyrë jetese duhet të mbahet edhe në rrugë. Një maskë sado e thjeshtë e ul mundësinë e infektimit deri në 95%", shtoi ai.
Shtuar më 10/07/2020, ora 17:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori