85 liqenet e Dumresë tërheqin vëmëndjen e TRT-së
Pëlqej
Mrekullitë natyrore të Shqipërisë janë të shumta, një prej të cilave edhe Dumreja e Elbasanit e njohur si një nga perlat karstike më të bukura të Mesdheut. Dhurata më e çmuar që natyra i ka bërë kësaj zone janë 85 liqenet karstike te Belshit, ndërsa pozicioni gjeografik i saj ka premisa për t’u zhvilluar e për t’u bërë një zonë e lakmueshme si nga turistët, por edhe për biznesin, shkruan kanali shtetëror turk TRT Shqip. Kanali turk, i cili ka edhe një degë të tijin në vendin tonë i ka kushtuar një reportazh bukurisë natyrore të kësaj pjese të Shqipërisë duke e përshkruar në çdo detaj.

Pasi ke kaluar Elbasanin nuk duhen më shumë se 45 minuta udhëtim që të futesh në zonën Dumresë, qe

shtrihet në një sipërfaqje prej 21.500 hektarë, ku 3 për qind të saj e zënë liqenet karstike, numri i të cilëve shkon në 85. Vëllimin më të madh të ujit në to e ka liqeni i Merhoes. Po ashtu, të mëdhenj konsiderohen edhe liqeni i Çestinjës me 97 hektarë, Seferani 87,5 hektarë, i Degës 37,5 hektarë, ndërsa më i vogli është liqeni i Çartallozit me 0.5 hektarë. Ndërsa më të thellë janë Merhoja 61 metra, Peraska 51 metra, Çërraga 29 metra, Seferani 20.8 metra etj dhe thellësia më e vogël zbret në 10 metra.

Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë është se ato janë liqene me regjim shiu dhe mbushja me ujë e tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore. Sipërfaqet e këtyre liqeneve eshte afro 14.2 km2 me një aftësi ujëmbajtëse 26 milion m3. Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht.

Në rrugë, drejt qytezës së Belshit të zë syri peshkatarë që shesin torfën qe rritet në liqenet e saj. Ndërkohë që të gjitha këto liqene janë shumë të përshtatshëm për zhvillimin e florës dhe faunës ujore e bregliqenore. "Përparimet duken kudo dhe nga Dumreja askush nuk ka ndërmend të largohet në drejtim të kryeqytetit apo drejt bregdetit. Madje drejt Dumresë po e marrin rrugën edhe disa investitorë të huaj, qe janë duke e studiuar me kujdes perspektivën dhe ndoshta që gjatë këtij viti mund të konkretizohen investimet e para serioze të huaja”, thotë kryetari i bashkisë, Asqeri Kuqja.

Ditët e fundit buzë liqeneve të vogla ka nisur edhe një fushatë nga inspektoriati ndërtimor për prishjen e të gjitha objekteve pa leje, të cilat i kanë dhënë liqenit një tjetër pamje. Zona e Dumresë shtrihet midis lumejve Devoll në jug dhe Shkumbin në veri dhe fillon aty ku mbaron fusha e Pazhokut në Cërrik dhe përfundon atje ku fillon fusha e Myzeqesë.

Kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë është Belshi dhe rilindasi i madh Sami Frashëri e kishte projektuar që ai të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Sipas tij, ideja për të qenë Belshi kryeqytet i Shqipërisë ishte nxitur nga fakti se kjo zonë është kërthiza e vendit tonë dhe se bukuritë natyrore të saj janë vërtetë të pazakonta. Prania e kodrave të rrumbullakosura e me lartësi të njëjtë që ndahen nga njëra tjetra nga lugina të vogla, i kanë dhënë pllajës së Dumresë një pamje të valëzuar që e bën atë mahnitëse.

Dumreja e “pushtuar” nga vapa ka shanse të bëhet ashtu sikurse e ëndërrojnë banorët e saj. Emri Dumre është formuar nga thirrjet "Duam re", pasi mungesa e ujit ka qenë vuajtja torturuese që i ka shoqëruar përjetësisht këta banorë, por që tashmë nuk po ndjehet më kaq e rëndë pasi me ndërtimin e ujësjellsave etja po vjen duke u zbutur. /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2013, ora 16:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori