80 mijë euro, 6 punonjës të bankës "fundosin” Shullazin
Pëlqej
Dy prej të pandehurve të procesit të Emiljano Shullazit, Gilmando Dani dhe Endrit Zela, pretendojnë se janë zënë në kurth nga biznesmeni Ylvi Beqja, dëshmia e të cilit mban në burg anëtarët e grupit.

Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca e radhës ndaj të akuzuarve ku fjalën kryesore e kishin mbrojtësit e Danit dhe Zelës. Ata pretendojnë se biznesmeni Ylvi Beqja i ka mashtruar me tërheqjen e disa çeqeve.

Deri më tani është e provuar se Gilmando Dani dhe Endrit Zela kanë tërhequr të paktën katër çeqe nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë në shuma që silleshin nga 6 mijë deri në 80 mijë euro.

Por ndryshe nga sa pretendon Prokuroria e Krimeve të Rënda, Dani dhe Zela thonë se paratë ia kanë dorëzuar menjëherë biznesmenit Ylvi Beqja, shkruan panorama.

Sipas tyre, Beqja këto para i ka nxjerrë jashtë vendit, në Malin e Zi dhe Itali. Për këtë, ata kërkuan që të kontrollohen të dhënat e sistemit TIMS dhe të dërgohen letërporosi në dy vendet. Çeqet janë tërhequr në periudhat kohore nëntor-dhjetor 2014.

Duke iu referuar të dhënave të siguruara nga sistemi TIMS, avokati Denion Bogdani tha se në të njëjtën ditë biznesmeni ka udhëtuar me traget drejt Italisë ose në rrugë tokësore për në Malin e Zi.

Në gjithë këto raste, ai ishte kthyer në Shqipëri 24 orë më vonë ose në të njëjtën ditë, siç ishte rasti i 5 dhjetorit 2014, ku Beqja rezultonte se kishte qëndruar vetëm 4 orë në Malin e Zi.

Biznesmeni Ylvi Beqja i ka nxjerrë këto para jashtë vendit, për llogari të veprimtarive të tij të jashtëligjshme. Jo më kot ai ka shkuar në këto vende me tragete apo rrugë tokësore dhe nuk ka zgjedhur aeroportet.

Pasi këto të fundit kanë kontrolle më të rrepta sa u përket sasive të parave kesh që mbahen me vete”, tha avokati.

“Ne kërkojmë që këto të dhëna nga sistemi TIMS të administrohen si provë nga Gjykata dhe të dërgohen letërporosi në Itali dhe Mal të Zi për të gjetur llogari bankare në emër të Ylvi Beqjes. Mirëpo, kërkesat u kundërshtuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas edhe nga Gjykata.

Ylvi Beqja është momentalisht personi i vetëm që mban në burg grupin e Shullazit. Dëshmia e tij në gjyq dhe Prokurori çoi në prangat e grupit.

Beqja pretendon se Emiljano Shullazi e ka kërcënuar për çështjen e ishhotel "Vollgës" në Durrës dhe e detyroi që ai të bëhej bashkëpronar.

Por nga ana tjetër, Shullazi tregon se ka qenë Beqja që i ka trokitur në derë dhe i ka kërkuar ndihmë për ish-”Vollgën”, pasi sipas tij kërcënohej nga pala tjetër që pretendonte pronësinë.

Shullazi ka thënë se ka ndihmuar Beqjen që të regjistrojë në emër të tij godinën në Durrës dhe si shpërblim është bërë bashkëpronar. Ai ka thënë se aktet noteriale janë firmosur me mirëkuptim.

Në një kohë që dëshmitë e Mynyr Konit, Dhori Kules, biznesmenëve nga Lushnja dhe të afërmve të biznesmenit Jani Zaka janë sfumuar, dëshmitë e Beqjes janë ato që mbajnë prapa hekurave Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endrit Zelën dhe Endri Qyqen. /albeu.com/
Shtuar më 17/05/2018, ora 19:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori