8 të arrestuar për energjinë elektrike, 12 në kërkim
Vijon puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.

Gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin, kanë vepruar 85 grupe të përbashkëta Polici–OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta në 5.324 raste në abonentët biznes dhe familjarë dhe si rezultat i tyre janë evidentuar 29 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 29 autorë.

Nga këta janë arrestuar në flagrancë 8 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, ndërsa janë shpallur në kërkim 12 persona dhe ndiqen në gjendje të lirë 9 të tjerë.

Po gjatë kësaj jave janë ndërprerë 2.616 lidhje të abonentëve debitorë dhe 29 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 98 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

Në njoftimin e shpërndarë nga Drejtoia e Përgjithshme e Policisë thuhet se, Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së. /albeu.com/
Shtuar më 12/04/2015, ora 09:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori