Bashkia plan për minimizimin e zhurmave, por aktivitetet e ndaluara lulëzojnë në (n) hyrje të pallateve

Anxhela Ruçi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë një dëgjese të zhvilluar më 3 dhjetor 2021, me ministren e Mjedisit dhe Turizmit , Mirela Kumbaro, diskutoi për hartimin e Planit Lokal të Veprimit mbi Zhurmat për Bashkinë e Tiranës, si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet.

Ndër të tjera Veliaj tha:

“Do jemi bashkia e parë që do plotësojë vakuumin që kemi me lejet e tipit C – pra, do të emetojmë një leje bashkiake për ushtrim aktiviteti, për ku dhe në çfarë zone, gjë që me shumë gjasë do bëhet etalon edhe për bashkitë e tjera. Nuk do të lejojmë dhe nuk do të japim më leje për lavazhe poshtë pallatit; nuk do të lejojmë më servise e gomisteri poshtë pallatit; nuk mund të ketë disko poshtë pallatit.”

Po çfarë ka ndodhur pas kësaj deklarate?

Për të mësuar më shumë rreth hartimit të Planit Lokal të Veprimit mbi Zhurmat, në adresë të Bashkisë Tiranë është dërguar një kërkesë për informacion, se në çfarë faze është hartimi i këtij plani, çfarë masash janë marrë nga bashkia për moslejimin e aktivitetetve të përmenduar nga kryebashkiaku Veliaj poshtë hyrjeve të pallatit.. etj, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka një përgjigje zyrtare nga ky institucion.

Duke qenë se Veliaj gjatë dëgjesës së tij tha se nuk do lejohet më ushtrimi i aktivitetet si lavazho, servise apo gomisteri poshtë pallateve, është bërë një vëzhgim për situatën, dy muaj pas deklaratës.

Nga vëzhgimi në terren, në zona të ndryshme të Tiranës, vërehet se ka shumë aktivitetet të cilat kanë nevojë të lejes së tipt C dhe që konsiderohet si aktivitet që sjellin ndotje akustike.

Problemi më kryesor është në zonat më të populluara të Tiranës, siç është Astiri, Yzberishti, “21 dhjetori”, Komuna e Parisit etj, ku lehtësisht përballesh me servise në katet e nëndheshme të pallateve apo lavazho në katet e para të këtyre hyrjeve.

Pamjet e mëposhtme janë nga zona e Astirit, ku në hyrjen e tre pallateve pothuajse ngjitur me njëra tjetrën, ushtrojnë aktivitet tre servise makinash, dritat e së cilave janë ndezur deri natën vonë.

Po ashtu lavazhot e makinave janë një tjetër problem që kemi hasur gjatë vëzhgimit, të cilat në hyrje të pallateve janë mëse të zakonshme.

Një tjetër problem janë edhe lokalet me muzikë të lartë, ose të quajtuar ndryshe ‘Lounge”, pozicioni i së cilave është zakonisht në katin e parë të pallateve të banuara. Këto lokale mund të mos konsiderohen disko, por muzika e lartë në mbrëmje, nuk dallon nga këto të fundit.

Në muajin dhjetor Drejtoria e Politikave dhe Edukimit Mjedisor (DPEM), organizoi në Qendrën TEN, dëgjesën e tretë publike mbi Planin Lokal të Veprimit mbi Zhurmat për Bashkinë Tiranë.

Plani Lokal i Veprimit mbi Zhurmat ka si qëllim të analizojë situatën në të cilën gjendet Bashkia Tiranë lidhur me zbatimin e kërkesave të ligjit për mbrojtjen nga zhurmat, vlerësimin e shqetësimeve të komunitetit dhe të bizneseve lidhur me zhurmat, si dhe vlerësimin e përvojave më të mira në këtë fushë.

Në qershor 2021 Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin me fond limit 2 milionë e 256 mijë lekë për hartimin e planit të veprimit mbi zhurmat në kryeqytet.


Shtuar 12.02.2022 12:56