700 Eurot e ministres
nga Glauk Olldashi -

Po debatohet lart e poshtë për abuzimet e bëra nga ministrja e drejtësisië. Pyetja që lind është nëse këto akuza janë me bazë ose jo, dhe nëse ministrja është vërtetë fajtore? Sidoqoftë, duke e ditur që neve nuk na bëjnë më përshtypje aferat korruptive, aq më tepër këto me “pak lek”, të cilat i marrim me të qeshur, nuk besoj se do ndodhë ndonjë gje, fundja ne s’jemi çuar për shuma më të mëdha.

Madje kjo 700’shja shumë bujë po bën, ndoshta nga që jemi në gusht dhe s’kanë me çfarë të merren mediat.

Nuk duhet të merremi me banalitetin e gjësë, por me fenomenin e mosmbajtjes së përgjegjësisë nga zyrtarët në Shqipëri. Ky fenomen nuk fillon te ministrja në fjalë, por kur pritet që politikanë të rinj si ministrja, apo shumë e shumë të tjerë që duhet të jenë “shpresa” e Shqiptarëve për një të ardhme më të mirë, vjen edhe zhgënjimi pasi mendojmë se këta të “rinjtë” do të jenë më të ndershëm.

Ndërsa e vërteta e hidhur është se shoqëria Shqiptare është e korruptuar deri në palcë, sepse të rinjtë dhe të rejat shqiptare janë të stërvitur me hajdutëri dhe pabesi që në vegjëli, dhe kur iu vjen dita për të qeverisur janë gati për të vjedhur.

Kjo ndodh sepse shoqëria shqiptare po humb idealizmin dhe patriotizmin, pasi, që të vegjel fëmijët mësojnë të kenë frikë, të respektojnë, dhe të idolizojnë kriminelin, hajdutin, mashtruesin, etj etj.

Pra, në qoftë se këta politikanët e vjetër nuk e kanë ditur që në rininë e tyre se do vidhnin djersen e shqiptarëve, sepse kishin disa ideale dhe ide të mira apo të ndershme, nuk ndodh kështu me këta të rinjtë e sotëm, që janë të “përgatitur”, të brumosur keq që në fillim.
Sidoqoftë ne nuk duhet të humbim shpresat, pasi vertetë ka djem dhe vajza të ndershëm të cilët e duan vërtetë Shqipërinë. Por në qoftë se “sistemi” vazhdon të funksionojë kështu, dhe këta njësoj do të bëhen.

Cila është zgjidhja?

Mbajtja e përgjegjësisë!
Shtuar më 26/08/2019, ora 16:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori