I dënuar për vrasje, arrestohet me afro gjysmë kg kokainë 39-vjeçari në Tiranë (VIDEO)

Policia ka vënë në pranga shtetasin Gjovalin Gjoka në Tiranë. Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi prej 200-500 gramë, në zonën e Shijakut, e ndante në porcione nga 10 gramë deri në 100 gramë, të cilat më pas i shiste me shumicë në zonën e “Bulevardit të Ri”, në ish-Stacionin e Trenit dhe në zonën e “Zogut të Zi“, në qytetin e Tiranës, po ashtu në Durrës dhe në Shijak, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj për gramë.

Klientët që blinin lëndën narkotike i priste në stacione autobusësh, për të mos rënë në sy. 39-vjeçari e kryente këtë aktivitet kriminal dy herë në javë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Stacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Arrestohet në flagrancë 39-vjeçari me precedent penal të mëparshëm në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i cili shpërndante lëndë narkotike kokainë në qytetin e Tiranës dhe Durrësit.

Sekuestrohen 400 gramë kokainë, një sasi dozash gati për shitje, një aparat celular dhe një automjet.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë në disa qytete, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ”Stacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë te ish-Stacioni i Trenit në Tiranë, i shtetasit:

Gj. Gj., 39 vjeç, banues në Shën Vlash, Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi prej 200-500 gramë, në zonën e Shijakut, e ndante në porcione nga 10 gramë deri në 100 gramë, të cilat më pas i shiste me shumicë në zonën e “Bulevardit të Ri”, në ish-Stacionin e Trenit dhe në zonën e “Zogut të Zi“, në qytetin e Tiranës, po ashtu në Durrës dhe në Shijak, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj për gramë. Klientët që blinin lëndën narkotike i priste në stacione autobusësh, për të mos rënë në sy. 39-vjeçari e kryente këtë aktivitet kriminal dy herë në javë.

Në vijim të operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 400 gramë kokainë, një sasi dozash me kokainë, 1 aparat celular dhe 1 automjet me të cilin lëvizte ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.


Shtuar 19.11.2021 09:41