60% e nxënësve që ndjekin IT punësohen në vitin e parë”
Pëlqej
Të rinjtë që ndjekin shkollat profesionale dhe degë si teknologjia e informacionit kanë më shumë mundësi për t’u punësuar. Gjatë vizitës së tij në shkollën e mesme profesionale “Gjergji Canco”, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, u shpreh se 60% e nxënësve që ndjekin degën e IT-së punësohen që në vitin e parë pas përfundimit të shkollës.

“Industria e teknologjisë së informacionit ka shumë vende pune për këta të rinj. Sipas statistikave, nxënësit që ndjekin arsimin profesional e kanë më të lehtë të gjejnë punë nesër, sesa nxënësit që ndjek gjimnazin e përgjithshëm”, tha z. Veliaj, duke i ftuar të rinjtë të regjistrohen në shkollat profesionale.

Sipas tij, në të gjitha shkollat profesionale të vendit këtë vit janë regjistruar rreth 6.000 të rinj, çka dëshmon se publiku i është përgjigjur pozitivisht ftesës për t’i kthyer sytë nga arsimi profesional. Ministri Veliaj tha se sfida tjetër është zbatimi i sistemit dual gjerman në të gjitha shkollat tona.

“Në çdo shkollë kemi një kryetar bordi, i cili vjen nga fusha e sipërmarrjes për t’u siguruar që dija që merret në shkollë, të zbatohet në praktikë pranë një biznesi. Prioriteti ynë është praktika”, shtoi ai. Sipas sistemit dual gjerman, nxënësit duhet të kalojnë 30% të kohës së tyre në pranë një biznesi.

“Në 23 vite shkollat profesionale kishin dalë jashtë mode dhe konsideroheshin si një derë e hapur për nxënësit e dobët. Por, më vjen mirë që në shkolla të tilla si “Gjergji Canco” sot kemi nxënës me mesatare mbi 8”, nënvizoi z. Veliaj. Ai tha se oferta e konviktit falas dhe e bursës së plotë ka sjellë rritje të nxënësve që vijnë nga verilindja e Shqipërisë të regjistruar në shkollat profesionale.
Shtuar më 26/09/2014, ora 17:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori