6 javë nga ngjarja, ekspertiza zbulon shkakun pse vdiq Adelajda
Pëlqej
Mjekësia ligjore ka përcaktuar më në fund shkaqet e vdekjes së Adelajda Xhamani në banesën e saj.

Pas 6 javësh nga ngjarja e rëndë, ka dalë raporti përfundimtar ku sipas mjekëve shkaku i vdekjes është infarkti kongjestiv në zemër.

Kjo ka ardhur për shkak të një sëmundjeje të rrallë, e quajtur kardiomiopati, që prek muskulin e zemrës, duke dëmtuar strukturën apo funksionin e barkusheve dhe sjell dobësimin e zemrës.

Sipas mjekëve, kjo ka sjellë mosfunksionimin e zemrës dhe më pas vdekjen e 31- vjeçares, shkruan Panorama.

Ngjarja

Gazetarja 31-vjeçare Adelajda Xhamani ndërroi jetë papritur në orët e para të mëngjesit të datës 29 tetor të këtij viti.

Ajo ndodhej e vetme në apartamentin ku jetonte me qira, në rrugën “Muhamet Deliu”, kur ka nisur të ketë shqetësime. Në orët e para të mëngjesit ajo i ka telefonuar shoqes së saj, duke i kërkuar që të lajmëronte një ambulancë, pasi nuk po mbushej dot me frymë.

“Nuk po mbushem dot me frymë”, mësohet t’i ketë thënë shoqes së saj. Pas kësaj telefonate, shoqja e Adelës ka lajmëruar menjëherë ambulancën, familjarët e saj, por edhe disa miq të përbashkët.

Ambulanca ka mbërritur shumë shpejt në adresën e dhënë, por duke qenë se nuk dihej me saktësi apartamenti i Adelës, mjekët kanë pritur derisa miqtë e saj kanë mbërritur aty me një taksi. Të gjithë janë ngjitur bashkë në katin e katërt.

Dera është gjetur gjysmë e hapur, pasi në momentin që po fliste në telefon me shoqen e saj, Adela nga frika se gjendja e saj mund të përkeqësohej, i ka thënë se do ta hapte derën.

Ndërsa në momentin që janë futur brenda, ajo është gjetur e shtrirë në korridor. Mjekët nuk kanë konstatuar shenja jete, megjithatë e kanë marrë me ambulancë e janë nisur drejt QSUT-së.

Si orë e vdekjes është shënuar 05:10, kohë që përkon me momentin kur mjekët janë futur në apartamentin e saj dhe e kanë konstatuar pa shenja jete. /albeu.com/
Shtuar më 15/12/2017, ora 08:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori