55 vende prane njohjes se Kosoves
Albeu.com
Janë këto fjalët e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, gjatë fjalimit të tij para parlamentit, ku po diskutohet për hapat e Beogradit pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
Qeveria Serbe i dorëzoi Parlamentit propozimin e masave, në të cilat thuhet se GJND-ja nuk ka legalizuar shkëputjen e bazuar mbi baza etnike të Kosovës dhe se nuk është përgjigjur në pyetjen thelbësore për legjitimitetin e së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për ndarje.

Gjatë seancës plenare të jashtëzakonshme, ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, theksoi se “aktivitetet e Serbisë deri në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të jenë të orientuara në pengimin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës”. Jeremiç paralajmëroi se 55 vende janë shumë afër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe se qeveria është duke bërë përpjekje që ky numër të zvogëlohet sa më shumë.

Nga ana tjetër, shefi i grupit të Partisë Liberale Demokratike, Çedomir Jovanoviç, gjatë diskutimeve theksoi se ka ardhur koha që qeveria të ndryshojë politikën lidhur me Kosovën. Ai theksoi se nuk është obligim i qeverisë të mbrojë atë që është humbur përgjithmonë që në vitin 1999 por Serbia ka të drejtë të kujdeset për manastiret dhe pronat e veta atje. (start/albeu)
Shtuar më 26/07/2010, ora 18:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori