RENEA në Shijak për Vis Martinajn? Dy skenarët e mbetur për “mbretin” e lojërave të fatit

RENEA ka zbarkuar në zonën e Shijakur, pas dyshimeve të forta se Ervis Martinaj është zhdukur pikërisht në këtë zonë.

Deri më tani nuk ka informacione nëse RENEA dyshon për autorët e mundshëm të eliminimit fizik të Ervis Martinajt, apo ka informacione të tjera që “mbreti i lojërave të fatit” mund të jetë gjallë dhe fshihet në këtë zonë. Po ashtu përflitet se në Shijak ka persona të cilët e dinë se çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn.

Prej disa ditësh po qarkullojnë disa teori për fatin e Ervis Martinajt. Të dyja parashikojnë fundin tragjik të Martinajt. A është futur në kurth “Mbretit i lojërave të fatit”?

Teoria e parë: Kapja si “peshk”

Në emisonin “Inside Story” u përfol se ka pasur disa mesazhe të shkëmbyera mes njerëzve që kishin dijeni për fatin e Ervis Martinajt.

“Mos ti kishte thënë për V. Do ishte gjallë akoma.”

“Hajde i kishin thënë e kam gati.”

“Ky peshku kishte vajt. Dhe e kishin marrë peng. E kanë hedh në det. Ca peshku. Atë e kanë humb atë natë”.

“Ka festuar se i kanë nis fotot”. Këto janë disa nga mesazhet që dyshohet të jenë shkëmbyer mes të burgosurish.

Mbi këto mesazhe presupozohet se Ervis Martinaj kishte kontraktuar një grup të fortësh në Shijak për kapjen e personit përgjegjës për vrasjen e kushëririt të tij të parë, Brilantit. Ky i fundit mbeti i vrarë më 17 korrik të këtij viti në mbikalimin e Fushë Krujës, teksa po udhëtonte me dy miq të tij. 91 plumba u zbrasën mbi makinën ku udhëtonte Brilant Martinaj. Gëzhojat konfirmuan se plumbat ishin qëlluar nga një qitës, i shumëpërfolur si profesionist.

Ervis Martinaj ishte betuar për hakmarrje. Sipas kësaj piste, grupi që ai kontraktoi raportohet se i ka treguar me pamje personin përgjegjës për vrasjen e Brilantit, të lidhur me litarë. Prezumohet se Martinaj i ka kërkuar atyre të presin që të vijë dhe ta vrasë vetë personin me dorën e tij. Dhe pikërisht ky ka qenë karremi. Martinaj dyshohet se është prerë në besë dhe është ekzekutuar sapo ka arritur tek baza në Shijak. Kapja e vrasësit ose porositësit të vrasjes së Brilantit nuk u krye me qëllim plotësimin e kërkesës së Visit. Por, për eliminimin e tij.

Kjo teori nuk është konfirmuar ende dhe autenticiteti i mesazheve mbetet për t’u verifikuar. Por megjithatë, mbetet një teori e shumëpërfolur.

Po ashtu në media të ndryshme ka qarkulluar edhe teoria se një femër ka “shitur” Ervis Martinajn.

Ishte pikërisht ish kryeministri Sali Berisha i cili tha se pas fatit të Ervis Martianj, fshihet nëj vajzë. Ndërsa fillimisht ka denoncuar se kupola e Policisë së Shtetit ishte e lidhur me Martinajn, dhe se Edi Rama e di se ku ndodhet Visi, Berisha ka bërë një denoncim më konkret për zhdukjen. Berisha publikoi një mesazh të ardhur në adresë të tij në Facebook. Sipas denoncuesit, fatin e Martinajt e di një femër që punon në Bashkinë e Tiranës. Personi anonim shpjegon se kjo femër e ka shoqëruar Visin nga banesa e saj në Shijak, dhe se policia e ka marrë dëshminë e saj.

Që prej 10 gushtit të këtij viti, kur zhdukja e Ervis Martinaj u bë publike, ende nuk dihet asnjë detaj zyrtar se çfarë ka ndodhur me të.