“Në Zvicër burg për kondicionerin”, Rama: Kërkova ndjesë, nuk ishte e vërtetë (FOTO LAJM)

Kryeministri, Edi Rama, ka kërkuar ndjesë lidhur me një deklaratë se në Zvicër bën burg për kondicionerin nëse e gradon më shumë se 19 gradë celcius.

Përmes një postimi në Facebook, Rama është shprehur se ky lajm është i pavërtetë, por sipas tij, ai është përhapur gjithandej, jo nga ai, por nga vetë mediet zvicerane.

Ai thotë se në bashkëbisedimin publik që bëri sot, mësoi nga një gazetare se ambasadori zvicerian ka thënë se ky lajm është keqkuptuar.

“Ky lajm është përhapur gjithandej, jo nga unë po nga vetë mediat zvicerane. Në bashkëbisedimin e sotëm publik, pasi një gazetare shpjegoi, se sipas ambasadorit zviceran ky ishte keqkuptim, kërkova madje edhe ndjesë, pavarësisht se s’kam asnjë gisht në ndërkombëtarizimin e këtij lajmi me burim median zvicerane. Tani po bashkëngjis një postim kuptimplotë pas bashkëbisedimit publik dhe tre nga shumë linqet e lajmit në fjalë! Jam i bindur që e bëni vetë dallimin mes kujt ka respekt për të vërtetën e për publikun dhe kujt burimet e informimit i përdor për helmimin masiv të publikut!”, shkruan Rama në Facebook.

Lajmi për Zvicrën u përhap në Shqipëri pas deklaratës që ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku bëri disa ditë më parë në një takim me fëmijët e shkollës “Lasgush Poradeci” , në kuadër të informimit të fëmijëve për krizën energjitike.

Në këtë takim Balluku tha se Zvicra dënon me burg këdo që mban kondicionerin me mbi 19 gradë./albeu.com/