4 shqiptarët kthehen në heronj në Itali: Ëngjëj të zbritur nga qielli
Pëlqej
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali por 4 shqiptarë "ëngjëj" kanë shpëtuar një 67-vjeçar nga vdekja.

Makina e italianit Loreno Casini kishte rënë në një kanal uji 2.5 metra të thellë, por fatmirësisht aty ndodheshin 4 shqiptarë që i erdhën në ndihmë.

Më 8 Dhjetor, 67-vjeçari italian Loreno Casini udhëtonte me makinë në Via di Chiazzano dhe për shkak të motit të keq humbi kontrollin e mjetit duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës. Këto të fundit u përkulën dhe automjeti ra brenda kanalit.

“U përpoqa të hapja derën, por ajo ishte bllokuar. Ata më thanë të hapja derën, por nuk mund të bëja më shumë se aq.

Njëri prej tyre bërtiti "shkojmë ta shpëtojmë". Njëri hapi derën e makinës, ndërkohë dikush tjetër më hodhi rripin dhe më tha që t'a kapja.

Ndërsa dy personat e tjerë mbanin barrierën anësore të rrugës që kishte rënë”, -thotë Loreno Casini.

Shqiptarët e tërhoqën atë me litar dhe me sukses e nxorën nga makina. 67-vjeçari kishte thyer një brinjë, por nuk kishte asgjë tjetër serioze.

“Nuk kuptova asgjë në atë moment. Nuk e di as nëse i falënderova. Zjarrfikësit u kthyen mëngjesin e së nesërmes për të nxjerrë makinën nga kanali. Ishte shkatërruar, por kjo nuk ka rëndësi”, shprehet italiani.

Emrat e 4 shqiptarëve heronj nuk i ka treguar, por thotë se gjithçka do të kishte përfunduar në tragjedi po të mos ishte për ta.

Ditën kur ndodhi aksidenti i rëndë, 67-vjeçari festonte ditëlindjen e tij. /albeu.com/
Shtuar më 16/12/2017, ora 09:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori