36 VIP-a: "O sa mirë me qenë shqiptar!"
Albeu.com
Fëmijët e qendrës kulturore mbledhin në Tiranë 18 kryeministra dhe 18 ministra evropianë. Fëmijët më të talentuar, shfaqje me traditë shqiptare për evropianët.

Fëmijët e Qendrës kulturore mbledhin në Tiranë 18 ministria të Evropës. Sot, në Teatrin Kombëtar, fëmijët më të talentuar nga i gjithë vendi do të japin një shfaqe për ministrat evropianë.

Shfaqja e sotme është finalizimi i një aktiviteti, i cili është organizuar në shumë faza, ku një juri specialistësh së fushës kanë përzgjedhur në fushat përkatëse fëmijët më të talentuar nga e gjithë Shqipëria. Në kuadër të Nismës së Vendeve të Evropës Qendrore, Qendra kulturore e Fëmijëve mori përsipër organizimin e një aktiviteti të përmasave gjigante, me moton "O sa mirë me qenë shqiptar!". "Nga data 21 nëntor deri më datë 26, veprimtaritë dhe aktivitetet që ka organizuar Qendra Kulturore e Fëmijëve ka mbledhur në Tiranë 18 kryeministra evropianë. Ndërkohë që sot do të jenë të pranishëm në shfaqen e fëmijëve 18 ministra nga vendet e Evropës", tha drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Fëmijëve, Ardita Repishti. Sipas saj, fushata "O sa mirë me qenë shqiptar" është organizuar në disa faza. Aktiviteti angazhoi mijëra fëmijë të të gjitha shkollave. Nga ky kontingjent rreth 200 fëmijë për tri net me radhë, u zhvillua "Mbrëmja e Interpretuesit", "Mbrëmja e Artit Viziv" dhe ajo "Poetike", ku u zgjodh më i miri i profilit përkatës.

Natën e parë të aktivitetit u zhvillua "Mbrëmja e Interpretuesit", ku fëmijët më të mirë të të gjitha shkollave konkurruan në aktrim, nën idenë "O sa mirë me qenë shqiptar!". Mbrëmja u konceptua si një spektakël në një atmosferë të ngrohtë, ku fëmijët, me veshje tradicionale, rreth një sofre të madhe të miqve, si në një odë malësore, interpretuan pjesët e veta, të përfshirë në një atmosferë nacionaliste.

Kjo fushatë përfshiu me mijëra fëmijë, nga të gjitha shkollat nëntëvjeçare të Tiranës, të cilët shprehën talentin e tyre nën idenë e mësipërme, në aktrim, pikturë e krijim artistik. Fushata u koordinua nga Drejtoria Arsimore Tiranë dhe u monitorua e gjitha nga QKKF, e cila ka marrë përsipër rikthimin e vlerave të hershme të saj, me organizimin e veprimtarive të tilla, që vënë në qendër të krijimtarisë, fëmijët e talentin e tyre. "Investimet e sotme në kulturë janë ato që përgatisin nesër njerëz me vizion, të cilët u shërbejnë interesave të vendit të tyre dhe zbukurojnë ambientin ku jetojnë, edhe me këtë fushatë nacionaliste, në kontekstin e sotëm të globalizimit", tha drejtoresha e qendrës kulturore, Ardita Repishti. Finalja e madhe që zhvillohet sot do të ngjisë në skenë fituesit e fazave të aktivitetit.

"Aktiviteti u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë. Aktiviteti u realizua nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ministres së Integrimit, Arenca Trashani, Edith Harxhi, zv/ministre e Jashtme dhe Iva Zajmi, zv/ministre e Brendshme. Gazeta Shqip

Shtuar më 27/11/2006, ora 10:58
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori