300 lëkundje në 2 ditë, 110 të lënduar dhe qindra banesa të dëmtuara (FOTO LAJM)

Ditën e shtunë rreth orë 17:04 të pasdites vendi ynë u trondit nga një tërmet i fuqishëm që kapi 5.8 ballë.
Ndërkohë gjatë gjithë natës së të shtunës dhe ditës së djeshme janë ndjerë lëkundje të tjera por më të vogla.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit kanë rënë 300 tërmete. Nga informacionet e deritanishme mësohet se pjesa më e madhe e tërmeteve kanë qenë nën 3 ballë i shkallës rihter, dhe nuk janë ndjerë nga qytetarët.

Nga Ministria e Shëndetësisë është bërë publike dhe numri i të plagosurve, ku mësohet se janë mbi 110. Po ashtu në një deklaratë për mediat ministrja Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se vetëm 10 prej tyre po qëndrojnë ende në spital, pasi kanë dëmtime të tjera.

Ndërkohë nga ana tjetër mësohet se shumë banesa kanë pësuar demtime të rënda, por ende nuk është bërë një bilanc i plotë i dëmtimeve. Nga të dhnëat zyrtare deri tani që bëhen të ditura nga ministria e mbrojtjes se janë 915 banesa dhe pallate të dëmtuara. “Janë kontaktuar ose po kontaktohen nga ekipe, të cilave u janë atashuar edhe specialistë të institutit të ndërtimit, psikologë dhe punonjës socialë”, u shpreh Xhaçka në një njoftim për mediat.

Në terren janë shpërndarë dhjetëra ekipe të shtabeve të emergjencave pranë prefekturave e bashkive. Strukturat e shtetit bëjnë me dije se janë 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, disa qindra efektivë të Policive Bashkiake të Durrësit e Tiranës, 500 efektivë të Forcave të Armatosura që janë atashuar pranë ekipeve të terrenit apo në gjendje gatishmërie sipas nevojës.

Tërmeti i fundit i fortë ka rënë mbrëmë rreth orës 21:00 në darkë, ku është ndjerë në zonën e Tiranës dhe Durrësit. Epiqendra e tërmetit që ra mbrëmë është afruar Tiranës, pasi ka qenë në Vorë dhe jo më në Adriatik. Tërmete të tjera kanë rënë dhe gjatë natës, por magnituta ka qenë shumë e vogël, më pak se 3 ballë.




Shtuar më 23/09/2019, ora 10:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori