Zgjedhjet e 6 marsit, qeveria fond shtesë prej 190 milionë lekësh për KQZ-në

Në mbledhjen e ditës së sotme, qeveria ka miratuar një fond shtesë në buxhetin e vitit 2022 për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për  mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 mars në 6 bashki të vendit.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 190 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 6 mars 2022.

Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


Shtuar 9.02.2022 16:59