30 dite paraburgim per Goran Vuckoviqin
Albeu.com
Serbit të dyshuar për krime lufte në Kosovë, Goran Vuçkoviq, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Prizren.Vuçkoviq, 33-vjeçar, nga fshati Gorosellë i komunës së Prizrenit, është arrestuar të martën, në bazë të dyshimit se gjatë viteve 1998 dhe 1999 ka kryer krime të luftës në Kosovë.

Dyshohet se ai ka qenë pjesëtar i grupit paramilitar serb "Dora e zezë" dhe njëri ndër personat kryesorë që e kanë shkatërruar ndërtesën muzeale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Lidhur me rastin e Vuçkoviqit është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e EULEX-it. Zyrtarët e këtij misioni kanë bërë të ditur se aktualisht në Kosovë zhvillon hetime për mbi 1.200 krimeve të luftës, të kryera në fund të viteve '90 në Kosovë.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, ka thënë se EULEX-i i ka trashëguar të gjitha këto lëndë nga UNMIK-u. Sipas saj, hetimet për identifikimin e kryerësve të krimeve të luftës nuk po bëhen vetëm ndaj serbëve, por edhe ndaj shqiptarëve.

"Ne po merremi me të gjitha komunitetet. Puna jonë është që të punojmë në të gjitha rastet, pavarësisht prej përkatësisë etnike", ka thënë Herodes. /qik/
Shtuar më 14/08/2009, ora 18:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori