Ardiol Hoxha, 25 vjeç nga Berati, jeton në Tiranë, ku punon si gazetar dhe pasditen e 15 majit nxitonte të shkonte për të parë nëse i ka dalë Lotaria
Amerikane.
Prej tre vitesh aplikon në Lotarinë
Amerikane dhe dy herët e para nuk ka patur sukses, megjithatë ai po provon. Vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të aplikuesve të Lotarisë
Amerikane. Shifrat janë përmendur disa herë, ndërsa tre vite më parë, kur edhe
Ardioli aplikoi, 200 mijë shqiptarë kërkuan ëndrrën
amerikane.
“Kam mbaruar studimet për gazetari, e kam një profesion. Jam në marrëdhënie pune aktualisht. Përsa i përket Lotarisë
Amerikane, e kam vitin e tretë radhazi që e provoj. Të shohim këtë vit, duke qenë se është hera e tretë, ndoshta e treta e vërteta”, thotë
Ardioli.
Ardioli ka ruajtur prej muajsh kodin e aplikimit të tij. Ai bën shaka duke thënë se nuk është përzgjedhur sepse nuk është nga Korça. Megjithëse përkatësia krahinore për të fituar Lotarinë
Amerikane është thjesht një legjendë urbane, për Ardiolin doli e vërtetë: ai nuk është zgjedhur edhe këtë herë.
“Mesa duket edhe këtë vit fati nuk është me mua. Ndoshta është e shkruar që të vazhdoj profesionin si gazetar. Do ta provoj përsëri”, deklaron
Ardioli.
Me qindra shqiptarë morën përgjigjjen pozitive për të nisur ëndrrën
amerikane, ashtu si mijëra të tjerë që kanë emigruar drejt Shteteve të Bashkuara me lotarinë e njohur. /tch/
Shtuar më 16/05/2018,
ora 21:37