23-vjetori i PS, ftesa për Nanon e Bashën
Në 23-vjetorin e saj, Partia Socialiste mbush pothuaj një vit në qeverisje, pas një periudhe 8-vjeçare në opozitë. Këtë vit, festa pritet të bëhet në mjediset e lulishtes së Muzeut Kombëtar, ndryshe nga një vit më parë, kur ajo së bashku me fitoren e zgjedhjeve u zhvillua në hotel "Sheraton".

Burimet nga Partia Socialiste bënë të ditur për "GSH", se në festën që pritet të mbahet të enjten, më 12 qershor, në orën 19:30 do të jenë të ftuar veç deputetëve e krerëve aktualë të rretheve edhe ish-themelues. Ftesat që pritet të nisen sot drejt të ftuarve janë edhe për ish-kryetarin e parë Fatos Nano, sigurisht, por edhe për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe deputetët e opozitës. Janë ftuar gjithashtu krerët e partive aleate si dhe partive të tjera të opozitës, ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Nuk jepen shumë detaje nga festa, që në fakt do edhe dy ditë të vijë, por mësohet se do të ketë pamje që do të shfaqen me videoprojektor, trokitje gotash dhe urime, ashtu siç zakonisht ndodh në këto festa.

Ndërkaq sot, kryeministri Edi Rama do të niset për në Paris, aty ku do të diskutojë me Presidentin Francois Holande, në lidhje me qëndrimin që shteti skeptik i dhjetorit 2013 do të ketë tashmë në fund të qershorit për Shqipërinë, nëse do të votojë pro statusit kandidat apo jo.

Pas lajmit të mirë që qeverisja e PS mori prej Komisionit Evropian, i cili rekomandoi më fort dhënien e statusit, tashmë pritet vendimi i 23 apo 24 qershorit nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Por, edhe nëse merret statusi, Rama lajmëroi se nuk do të ketë as fishekzjarre dhe as festë, duke e parë këtë si një përgjegjësi më shumë. /albeu.com/
Shtuar më 10/06/2014, ora 09:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori