21 Janari, protesta para Gjykatës
Dhjetëra qytetarë protestuan para Gjykatës së Tiranës kundër vendimit që shpalli të pafajshëm të akuzuarit e ngjarjes së 21 janarit.

Ata shprehën shqetësimin e tyre, për atë që e quajtën abuzim të pushtetit me gjykatat, e që nuk është gjë tjetër veç simbol i diktaturës.

"Nën dikatitin e pushtetit, gjykata, në kundërshtim me krejt faktet dhe me viktimat e vrara, i tha publikut, i tha shqiptarëve, i tha botës: Ata meritonin të vriteshin! Jemi këtu për të protestuar sepse pavarësia e gjyqsorit është thelbi i një sistemi me liri, kurse përdorimi, abuzimi nga pushtetet me gjykatat është thelbi i diktaturave që kërcënojnë, por edhe i diktaturës që përjetuan për 40 vjet shqiptarët", u shpreh analisti Andrea Stefani.

"Këtu nuk është më çështje drejtësie gjyqsore, por është çështje drejtësie njerëzore. Ne të gjithë e kemi parë se çfarë ka ndodhur në Gërdec dhe në 21 janar. Ne të gjithe kemi detyrën morale si qytetarë që të reagojmë për atë çfarë po ndodh në shoqërinë tonë", tha Elton Kacidhja, përfaqësues i lëvizjes Mjaft.

Protestuesit ftuan edhe qytetarë të tjerë pa dallim bindjesh politike, që të bashkohen për të çliruar drejtësinë shqiptare nga pushteti autokratik. /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2013, ora 15:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori