21 janari, efektivët e gardës kanë përdorur edhe pistoleta
Efektivët e gardës gjatë demonstratës së 21 janarit krahas automatikëve "MP-5" të kalibrit 9 mm kanë përdorur dhe pistoleta. Lajmi konfirmohet nga burime të prokurorisë, por edhe nga pamjet filmike të rregjistruara nga mediat.

Në video duket qartë se njeri prej gardistëve brenda oborrit të kryeministrisë mban në dorën e tij të djathtë një pistoletë ndryshe nga automatikët që mbajnë kolegët e tij. Përdorimi i pistoletave gjatë demostratës ka bërë që prokuroria t’i drejtohet sërish komandës qëndrore të Gardës së Republikës, duke sekuestruar 32 pistoletakalibrit 9 mm.

Sipas prokurorisë këto pistoleta, ditën e demonstratës së 21 janarit kanë qenë në brezat e efektivëve të njësisë speciale të Gardës së Republikës. Prokuroria po heton për këto pistoleta dhe rezultati i këtij hetimi mund të zbardhe enigmën e 14 gëzhojave të 21 janarit, të cilat nuk rezultonin të shkrepura nga automatiket "MP-5", megjithëse ishin të kalibrit 9 mm. Pistoletat pritet t'i nënshtrohen ekspertimit balistik e krahasues me 14 gëzhojat e gjetura në pjesën veriore të oborrit të kryeministrisë bashkë me 117 gëzhoja të nxjerra nga armët e "grupit të zjarrit", mes të cilëve gardistët Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çelaj.

Po këto pistoleta pritet të krahasohen edhe me predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrto, për të cilin ekspertët e Policisë Shkencore deri më tani nuk kanë zbuluar se nga cila armë ka ardhur. Gjithashtu, këto pistoleta do ti nënshtrohen ekspertizës edhe përsa i përket predhës që i është hequr nga koka viktimës Aleks Nika, i cili humbi jetën në një spital të Turqisë.

Nga verifikimet e deritanishme dhe armët e sekuestruara ka rezultuar se protetuesi Ziver Veizi është qëlluar nga arma aotomatik mp5 e gardistit Agim Llupo,i cili ndodhet në arrest ndëkohë qe nuk ka një përgjigje se me cfarë arme u vranë 3 protestueseit e tjerë. Gjykata e apelit ndërkaq ka liruar gardistet e tjerë të arrestuar fillimisht me urdhër të prokurorisë. /albeu.com/
Shtuar më 15/03/2011, ora 08:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori