2-vjeçarja që vuan nga një sëmundje e rëndë, pret ndihmën tuaj
Mejsi, vogëlushja 2-vjecare që vuan nga një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme pret ndihmën e të gjithë neve për t'u operuar në Gjermani.

Vogëlushja e bukur sapo ka mbushur 2 vjec por fati i keq e ka dënuar atë që të vuajë pa hedhur ende hapat e parë në jetë.

Vajza është e sëmurë nga një tumor i rrallë që rrezikon t’i marrë sytë e më pas jetën nëse nuk operohet në kohë në një spital të specializuar në Gjermani.

Historia e dhimbshme e vogëlushes nis 1 vit më parë kur pas një ekzaminimi rutinë tek okulisti dhe kryerjes së rezonancës prindërit mësuan ajo kishte një kancer të rrallë, pa mundësi kurimi.

"Sapo e morëm vesh se çfarë kishte vajza u nisëm urgjentisht drejt Greqisë, atje vajza u operua. I kanë hequr një pjesë shumë të vogël për biopsinë, pastaj vijuam me kimioterapinë, bëri 13 cikle por sa vinte e përkeqësohej. Në Greqi na thanë pastaj që ishte e pamundur ta kuronin atje dhe se duhet të shkonim në Gjermani. Na kanë thënë se fillimisht vajza do verbohet e më pas do ketë pasoja më të rënda”, u shpreh nëna e saj.

Të ndodhur përballë situatës së vështirë si dhe mbarimit të kursimeve që familja kishte munduar të mblidhte me ndihmën e miqve dhe familjarëve prindërit vendosën të linin Greqinë e të riktheheshin në atdhe ku do t’i priste një fat edhe më i hidhur. Të papunë dhe pa të ardhura prindërit e Mejsit, detyrohen tanimë të shesin edhe shtëpinë për të shpëtuar jetën e vajzës por megjithatë lekët sërish nuk do të ishin mjaftueshëm për të përmbyllur shpenzimet e operacionit në Gjermani.

“Kemi folur me mjekët në Gjermani, të paktën ju duhet të mbyllni të paktën 40 mijë euro në llogarinë e spitalit më thanë për operacionin. Mjeku më dha shumë shpresë edhe pse më tha që operacioni është shumë i vështirë”, ka deklaruar nëna e saj.

Shpresa e fundit e prindërve për të shpëtuar Mejsin mbetet lutja publike drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë shqiptare për ndihmë.

Historia e Mejsit, vogëlushes 2-vjecare që vuan nga një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme është trajtuar para disa ditësh edhe në emisionin “Me zemër të hapur” në News 24. Rasti i saj tashmë është bërë i njohur edhe për vetë ministrin e Shëndetësisë, Halim Kosova.

Familja jep këtë numër kontakti për ndihmë për këdo që ka mundësi të kontribuojë. Nr. kontakti +355693737533. Ndërsa në Credins Bank është hapur ky numër llogarie për të kontribuar 000000460931. /albeu.com/
Shtuar më 08/05/2013, ora 11:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori