2 të vdekur në aksidentin në aksin Shkodër-Hani i Hotit (FOTO LAJM)

Shpejtësia e madhe më të cilën udhëtonin ka rezultuar fatale për dy të rinj nga Malësia e Madhe. Aksidenti i rëndë u shënua rreth orës 18:00 të mbrëmjes së të enjtes në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit. Pikërisht për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara të rinjtë kanë humbur kontrollin e mjetit tip BMV me targa italiane BV 003 BT, e cila ka përfunduar në kanalin në anë të rrugës në fshatin Shtoj i Ri.

Dëshmitarët në vendngjarje, thanë për Ora News se drejtuesi i mjetit për të evituar përplasjen me makina të tjera ka manovruar duke dalë nga rruga, dhe ky veprim e shpejtësia e madhe kanë shkaktuar përplasjen e mjetit me një mur rrethues e më pas ka përfunduar në kanal. Përplasja ka qënë fatale për 20 vjeçarët Ervin Medi Ndreca dhe Eugen Sami Ndreca. Mësohet se dy të rinjtë janë kushërinj të parë me njëri-tjetrn dhe djem të vetëm për familjet e tyre nga fshati Boriç i Madh i Malësisë së Madhe.

Banorë të zones, por edhe drejtues të automjeteve të tjera janë përpjekur tu vijnë në ndihmë. Sapo kanë parë përplasjen e automjetit janë afruar në vendin e ngjarjes, por kanë parë se ishte e kotë, pasi dy të rinjtë kanë mbetur të vdekur në vend.

Trupat e pajetë u përcollën në morgun e spitalit të Shkodrës, për tu kryer autopsia, proçedure kjo e proçesit hetimor qe policia e qytetit verior nisi menjehere pas ngjarjes se rende.
Shtuar më 05/09/2013, ora 20:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori