2 Korriku, nje gur ne themelin e shtetesise se Kosoves
Albeu.com
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci thekson se anëtarët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e shpallën Deklaratën kushtetuese të 2 Korrikut, jetojnë në rrethana vërtetë shumë të rënda, më të këqija se në kohën e Serbisë edhe askush nuk qanë kokën për ta. Ndërsa kujton me krenari kohën, rrethanat dhe vështirësitë me të cilat u ballafaquan për shpalljen e Deklaratës.

Më 2 korrik të vitit 1990, deputetët e Kuvendit të Kosovës pas disa ditë diskutimesh, e shpallën Kosovën republikë të barabartë me republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Deklarata e 2 Korrikut u shpall para ndërtesës së Kuvendit, pasi autoritet e Serbisë, të cilët kundërshtonin Republikën e Kosovës ua kishin mbyllur dyert deputetëve. Anëtarë i këtij legjislacioni ishte edhe Adem Mikullovci.

Mikullovci në një intervistë për Kosovapress ka pohuar se rëndësia historike e Deklaratës së 2 Korrikut është, se është një gur në themelin e shtetësisë së Kosovës.

“Rëndësia historike e Deklaratës së 2 Korrikut është, se është një gur në themelin e shtetësisë së Kosovës dhe është një kazmë, e cila i mëshoi kështjellës serbe botërisht, duke i thënë se populli shqiptar më nuk i duron këto tortura, populli shqiptar do të ketë shtetësinë e vet”, ka thënë Mikullovci dhe ka shtuar se 2 Korriku duhet të jetë pikënisja e mëvetësisë së Kosovës, pasi është akt legjitim që ka marrë Kuvendi legjitim në rrethana jashtëzakonisht të këqija, por në sy të botës edhe përballë policisë serbe ka shpallur mëvetësinë e Kosovës si njësi e barabartë me njësitë tjera të federatës jugosllave.

Ai kujton kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut, deri tek e cila datë kanë ardhur më vështirësi shumë të mëdha, duke mbajtur mbledhje maratonike në Kuvend si dhe duke zhvilluar takime me udhëheqësit atëhershëm të federatës jugosllave.

“Ne kemi dashur ta ruajmë kushtetutshmërinë, kemi luftuar me të gjitha forcat kundër kushtetutës së re të Serbisë, me të cilën është suspenduar autonomia e Kosovës, por kur e pamë që nuk ka tjetër edhe ashtu kishim ndërmend që ta bëjmë këtë, ne e shpallëm Deklaratën kushtetuese, ai akt mëvetësie aso kohe për Kosovën”, theksoi Mikullovci.

Ai kujton në detaje fjalimet që janë mbajtur në Kuvend para shpalljes së Deklaratës dhe zhvillimet gjatë shpalljes, kurse ndjehet i befasuar me mos futjen e 2 Korrikut në kalendarin e festave të Kosovës.

“Unë jam i befasuar jashtë zakonisht, jo që nuk po injorohet nga Qeveria jonë 2 Korriku, por as nuk po festohet dhe nuk është marrë si datë shtetërore. Jam shumë i befasuar, sepse në kujtesën e popullit 2 Korriku ka mbetur si një ngjarje shumë e rëndësishme dhe besoj se 2 Korriku është ai hapi parë drejtë mëvetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, kjo është dashur gjithsesi të jetë një festë shtetërore”, pohoi Mikullovci.

Ish deputeti Mikullovci qorton legjislativin e tanishëm për mos mos marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin, të cilët sipas tij arsyetohen me fjalët se “se UNMIK-u dhe tash EULEX-i nuk po na lejojnë”.

“Mua më ka mbetur zhig, pse nuk dolën me thënë udhëheqësit tanë aso kohe kur është aprovuar Korniza kushtetuese, se ‘ne e kemi Kushtetutën tonë, e kemi Kushtetutën e Kaçanikut dhe nëse na detyroni ne nuk kemi qare pa e aprovuar dhe pa punuar sipas kësaj Kornize Kushtetuese, por ne punojmë vetëm se ju po na detyroni, se ne e kemi Kushtetutën tonë të Kaçanikut’”, thotë ai.

Mikullovci shpreh brengosjen e tij edhe ndaj faktit se deputetët e Deklaratës së 2 Korrikut nuk gëzonin kurrfarë prioriteti dhe jetojnë në kushte të vështira.

“Të gjithë jetojnë në rrethana vërtetë shumë të rënda, më të këqija se në kohën e Serbisë edhe askush nuk qanë kokën. Në mesin tonë është edhe delegati që është invalid i luftës dhe merr vetëm 65 euro. Na kanë mohuar moralisht, aq më tepër tash kur po i aprovon Kuvendi i Kosovës këto benificionet për pensionet e deputetëve. Nuk di si kanë sy e faqe këta njerëz të na fshijnë ne prej asaj liste dhe të na thonë se nuk jeni legjitim. Si nuk u vjen turp dhe si kanë guxim para popullit të votojnë për rritjen e rrogave të veta, për sigurimin e pensioneve prej 1 mijë eurosh kur t’i mbushin 50 vjet dhe të krijojnë benificione me këtë varfëri të popullit”, tha ai.

Mikullovci kujton edhe shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut, për të cilën shpalle kontribut të madh kaçanikasit, të cilët ishin pjesë aktive e përgatitjes së kësaj ngjarje.

Ai po ashtu shpreh brengosjen e tije dhe ndaj mos kontrollimit të veriut të Kosovës nga institucionet e vendit. Kurse kundërshton me çdokush idenë e këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam frikë që kjo do të bëhet, por kjo prapë është në dëm tonin, se edhe ashtu herë dokurdo Lugina e Preshevës nuk ka qare po iu bashkëngjitur Kosovës, se është 90 për qind shqiptarë, ajo edhe ashtu është e jona”. (kosovapress)
Shtuar më 01/07/2010, ora 21:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori